2013-02-13 18:57:50

Papa Benedikti XVI kremton në Vatikan, Meshën e Përhimjes:Të kapërcehen individualizmat dhe rivalitetet, që shpërfytyrojnë Kishën


“Rrethanat sugjeruan të mblidhemi në Bazilikën e Vatikanit”: fjalët tejet të thjeshta, thënë nga Benedikti XVI në fillim të homelisë së tij në Meshën e së Mërkurës së Përhime në Shën Pjetër, tregojnë se çdo kremtim, çdo veprimtari e Papës ndjen fuqishëm tisin e trishtimit, që ka kapluar zemrat e besimtarëve. Aq të shumtë, saqë Mesha e Përhimjes nuk u kremtua në Bazilikën e Shën Sabinës, sipas traditës, por në atë të Vatikanit, ku mund të hyjnë një numër më i madh njerëzish. Vetë Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, në përshëndetjen që i drejtoi Atit të Shenjtë, nuk mungoi të theksonte: “Nuk do të ishim të sinqertë, nëse nuk do t’ju thoshim se në këtë mbrëmje, ka një hije trishtimi mbi zemrat tona”. I vetëdijshëm për rëndësinë e çastit historik, por i qetë shpirtërisht, Papa, që ndokush e quan “Mozarti i teologjisë”, kërkoi vetëm lutjet e Kishës, që udhëhoqi për tetë vjet me radhë:..................RealAudioMP3
“Sonte jemi mbledhur të shumënumërt rreth Varrit të Shën Pjetrit Apostull, edhe për t’i kërkuar ndërhyrjen e tij pranë Hyjit për udhën e Kishës, në këtë çast të veçantë, duke rinovuar fenë tonë në Bariun Suprem, Jezu Krishtin Zot. Për mua, është rasti t’i falenderoj të gjithë, sidomos besimtarët e dioqezës së Romës, ndërsa përgatitem ta përfundoj shërbimin tim papnor, si edhe të kërkoj të më kujtoni në lutje, në mënyrë të veçantë”.
Karakteristikat e Papës i rreshtoi njëra pas tjetrës kardinali Bertone, duke treguar së Kisha e kupton vendimin e Benediktit XVI për të dhënë dorëheqjen për të mirën e Popullit të Zotit. Pastërtia e shpirtit, feja e shëndoshë dhe kërkuese, forca e përvuajtërisë dhe e butësisë, guximi i madh, janë tiparet dalluese të shërbimit të Jozef Racinger, i cili e ka dashur gjithnjë pranë Zotin e Fjalën e Tij. E pastaj premtimi i kardinalit, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, që duke cituar fjalët e vetë Papës për të ardhmen e Kishës, që rilind gjithnjë, tha:
“T’i shërbejmë Kishës me vetëdijen e plotë se nuk është jona, por e Zotit, se nuk e ndërtojmë ne, por Ai; të themi të vërtetën se: “Jemi shërbëtorë të pavlefshëm. Bëmë vetëm atë, që e kishim për detyrë” (Lk 17,10), duke iu besuar krejtësisht Hyjit, është një mësim i madh që Ju, edhe përmes këtij vendimi të vështirë, na jepni jo vetëm neve, Barinjve të Kishës, por krejt Popullit të Zotit… Faleminderit që na keni dhënë shembullin e ndritur të punëtorit të përvuajtur në vreshtën e Zotit, një punëtor, që diti të realizojë në çdo çast, më të rëndësishmen: t’ua çojë Zotin, njerëzve dhe t’ua çojë njerëzit, Zotit”.
Por t’i kthehemi homelisë së Meshës të së Mërkurës së Përhime, që Papa e bazoi në reflektimet mbi leximet e sotme liturgjike, duke filluar nga ai i Joelit Profet:“Që tani - është fjala e Zotit - kthehuni me gjithë zemër kah unë, me agjërim, me vaj e dënesje!”(2,12). E fjalët “kthehuni me gjithë zemër” u bënë motivi kryesor i homelisë së Benediktit XVI:
“Duhet nënvizuar shprehja ‘me gjithë zemër’, e cila do të thotë, që nga qendra e mendimeve dhe e ndjenjave, që nga rrënjët e vendimeve, përzgjedhjeve, veprimeve tona, me një gjest lirie të plotë e radikale. Por a është i mundur ky kthim kah Zoti? Po, sepse ka një forcë që banon në zemrën tonë, por që shpërthen nga vetë zemra e Zotit. Është forca e mëshirës hyjnore”.
I kthejmë sytë kah Zoti, vetëm kur Hiri i Tij Hyjnor depërton në thellësinë e zemrës e na jep forcën ta “shqyejmë” zemrën e jo petkat, siç thuhet në tekstin e Joelit profet. E Papa komentoi:
“Edhe në ditët tona, shumë janë gati të ‘shqyejnë petkat’ para skandaleve dhe padrejtësive – natyrisht, kur bëhen nga të tjerët – por, pak duken të gatshëm të veprojnë mbi ‘zemrën’ e tyre, mbi ndërgjegjen e synimet e tyre, duke lejuar që Zoti t’i shndërrojë, t’i përtërijë e t’i kthejë”.
Është udha e pendesës, shpjegoi Ati i Shenjtë, e cila nuk bëhet vetëm, por së bashku me vëllezërit e motrat, brenda Kishës. Vetëm kështu merr rëndësi dëshmia e krishterë për të treguar fytyrën e vërtetë të Kishës, e cila, nganjëherë, shpërfytyrohet, ngriti zërin Papa:
“Mendoj sidomos për fajet kundër bashkimit të Kishës, për ndarjet e korpit kishtar. Të jetohen Krezhmët me një bashkim kishtar më të fuqishëm e më të dukshëm, duke kapërcyer individualizmat dhe rivalitetet, është shenjë e përvuajtur dhe e çmuar për ata, që rrinë larg fesë, ose për indiferentët”.
Benedikti XVI kaloi pastaj në meditimin mbi Letrën e Shën Palit Apostull drejtuar Korintasve - leximi i dytë i liturgjisë të së Mërkurës së Përhime - ku Apostulli i Popujve u bën thirrje ndjekësve të Krishtit ta shfrytëzojnë tani, çastin për t’u kthyer në rrugën e Zotit, pa vonesë. Por si duhet bërë kjo? Ja ç’tha Papa:
“Kthimi kah Zoti me gjithë zemër, në udhën tonë krezhmore, kalon përmes Kryqit; ndjekja e gjurmëve të Krishtit në udhën e Kalvarit, kalon përmes dhurimit të plotë të vetvetes. Është rrugë, gjatë së cilës duhet të mësojmë çdo ditë si t’i largohemi gjithnjë e më shumë egoizmit e mbylljes në vetvete, për t’i lënë vend Zotit, që e hap dhe e shndërron zemrën”.
Dëgjimi i Fjalës së Zotit, por edhe veprat tipike të Krezhmëve, lëmosha, lutja dhe agjërimi, përmendur në Ungjillin e sotëm sipas Mateut, janë mënyra më e mirë për t’i përjetuar 40 ditët, që na ndajnë nga Pashkët e Ringjalljes. Por, Papa ngacmohet sërish nga shprehja “me gjithë zemër” e thekson:
“Jezusi nënvizon se janë cilësia dhe vërtetësia e marrëdhënieve me Zotin, ato që i japin vlerë çdo gjesti fetar. Prandaj, Ai e denoncon hipokrizinë fetare, sjelljen vetëm për t’u dukur, qëndrimet që kërkojnë vetëm duartrokitje e miratim. Dishepulli i vërtetë nuk i shërben vetvetes apo ‘publikut’, por Zotit të tij, me thjeshtësi e bujari… Dëshmia jonë do të jetë shumë më domëthënëse, nëse nuk kërkojmë lavdi e nëse jemi të vetëdijshëm se shpërblimi për të drejtin është vetë Zoti, bashkimi me Të…”.
“Kthehuni kah Zoti me gjithë zemër”! Askush të mos e bëjë veshin shurdh para kësaj thirrjeje, përfundoi homelinë Papa Benedikti XVI, homelia e fundit e rëndësishme, që Ati i Shenjtë thotë në krye të Kishës Katolike. Por siç shkruante sot një editorialist i gazetës kishtare italiane “Avvenire”, “i dashur Papë, mos hiq dorë nga shkrimi. Vazhdo ta ushqesh fenë tonë me fjalën tënde. Nëse nuk e bën, është si të japësh dorëheqjen nga një talent e Ungjilli flet qartë për këtë…”. Dëshirë e një gazetari, interpretues i përvuajtur i mendimit të të gjithë besimtarëve katolikë…







All the contents on this site are copyrighted ©.