2013-02-13 18:58:25

Katekizmi i Papës, kushtuar Kreshmëve: “Tundimet e Jezusit dhe kthimi për Mbretërinë e Qiellit”.


Sot, e Mërkura e Përhime, po nisim Kohën liturgjike të Kreshmëve: 40 ditë, që na përgatisin për Pashkë; kohë posaçërisht impenjative në rrugën tonë shpirtërore.
Numrin 40 e gjejmë disa herë në Shkrimin Shenjt. Posaçërisht, siç e dimë, na kujton 40 vitet e endjes së popullit të Izraelit, shtegtar nëpër shkretëtirë: periudhë e gjatë formimi, për t’u bërë popull i Hyjit, por edhe periudhë e gjatë, në të cilën tundimi për ta thyer besën e lidhur me Zotin ishte gjithnjë i pranishëm.
Dyzet ishin edhe ditët e shtegtimit të Elisë profet, për të arritur në Malin e Zotit, në Horeb.
E po dyzet, ditët që kaloi Jezusi në shkretëtirë, ku u tundua nga djalli, para se të niste jetën e tij publike.

Mbi të gjitha, shkretëtira, ku tërhiqet Jezusi, është vend i heshtjes, i varfërisë, ku njeriut i mungon çdo mbështetje materiale e i bën vetes pyetjet themelore të jetës, nxitet të shkojë në thelbin e saj, e pikërisht për këtë arsye e ka më të lehtë të takojë Hyjin. Por shkretëtira është edhe vendi i vdekjes, sepse atje ku nuk ka ujë, nuk ka as jetë; e është edhe vendi i vetmisë, ku e ndjen edhe më thellë tundimin. Jezusi shkon në shkretëtirë e atje tundohet të dredhojë rrugë, të largohet nga udha e treguar prej Hyjit, për të ndjekur udhë të tjera, më të lehta, më të këndshme, udhët e botës (cfr Lk 4,1-13). Kështu ai merr mbi vete tundimet tona, ngarkohet me mjerimin tonë, për të fituar mbi djallin e për të na hapur rrugën, që na çon tek Hyji, rrugën e pendimit, të kthesës.
Reflektimi për tundimet, të cilave iu nënshtrua Jezusi në shkretëtirë, është ftesë për të gjithë ne. Na fton t’i përgjigjemi pyetjes themelore: ç’është më e rëndësishme në jetën time? Në tundimin e parë djalli i propozon Jezusit ta kthejë një gur në bukë, për të shuar urinë. Jezusi përgjigjet se njeriu jeton edhe me bukë, por jo vetëm me bukë: nëse nuk arrin ta shuajë etjen për të vërtetën, urinë për Zotin, njeriu nuk mund të shëlbohet.
Në tundimin e dytë, djalli i propozon Jezusit udhën e pushtetit: e çon në një vend të lartë e i premton sundimin mbi gjithë botën: por nuk është kjo udha e Hyjit. Jezusi e ka tepër të qartë se nuk është pushteti tokësor, që mund ta shpëtojë botën, por pushteti i Kryqit, i përvujtërisë, i dashurisë.
Në tundimin e tretë, djalli i propozon Jezusit të hidhet nga maja e Tempullit të Jeruzalemit e t’i kërkojë Hyjit ta shpëtojë me ndihmën e engjëjve të tij, duke bërë, kështu, diçka të paparë e të padëgjuar, për ta vënë në provë vetë Hyjin. Merr përgjigjen se Zoti nuk është send, të cilit mund t’ia imponojmë kushtet tona: ai është Zoti i të gjitha sendeve.
E thelbi i tre tundimeve, të cilave i nënshtrohet Jezusi? Është propozimi për ta manipuluar Hyjin, për ta përdorur në shërbim të interesave vetjake, të lavdisë e të suksesit vetjak. S’është tjetër, pra, veçse përpjekja për ta vënë vetveten në vend të Hyjit, duke e zhdukur nga jeta jote e duke jetuar në mënyrë që Ai të duket i tepërt. Secili nga ne duhet të pyesë veten: “Ç’vend zë Zoti në jetën time? Është ai Zoti, apo jam unë vetë?”.
Ta kapërcesh tundimin për t’ia nënshtruar Zotin vetvetes dhe interesave vetjake ose për ta lënë në një skutë, e të kthehesh në rendin e drejtë të përparësisë, duke i dhënë Zotit kryet e vendit, është udhë që duhet ta përshkojë çdo i krishterë përsëri e përsëri. Kthim në rrugën e Zotit, ftesë që do ta dëgjojmë shumë shpesh gjatë Kreshmëve, do të thotë ta ndjekim Jezusin, në mënyrë që Ungjilli i Tij të na prijë konkretisht në jetë; do të thotë ta lëmë Zotin të na shndërrojë, të heqim dorë nga mendimi se mund ta ndërtojmë vetë jetën tonë; do të thotë të pranojmë se jemi krijesa, se varemi nga Zoti, nga dashuria e tij, e vetëm “duke e humbur” jetën tonë në Të, mund ta fitojmë. Kjo kërkon t’i zgjedhim rrugët tona nën dritën e Fjalës së Zotit.
Sot nuk mund të jesh më i krishterë, si pasojë e thjeshtë e faktit se jeton në një shoqëri me rrënjë të krishtera; edhe kush lind në një familje të krishterë e merr edukatë fetare, duhet, çdo ditë, ta përtërijë vetëdijen për rrugën e krishterë, që ka zgjedhur, domethënë, ta vërë Zotin në krye të vendit, përballë tundimeve që kultura e shekullarizuar ia propozon vazhdimisht, e edhe përballë gjykimit kritik të shumë bashkëkohasve.
Provat, që shoqëria aktuale ia imponon të krishterit, janë shumë e prekin gjithë jetën personale e shoqërore. Nuk është e lehtë të jesh besnik në martesën e krishterë, të praktikosh mëshirën, në jetën e përditshme, të gjesh kohë për lutje e heshtje shpirtërore; nuk është e lehtë t’u kundërvihesh rrugëzgjidhjeve, që shumëkush i konsideron të natyrshme, si aborti në rast shtatëzanie të padëshiruar; eutanazia, në rast sëmundjesh të rënda: përzgjedhja e embrioneve, për parandalimin e sëmundjeve të trashëguara. Tundimi për ta lënë mënjanë fenë, është gjithë i pranishëm e pendesa bëhet përgjigje, që i japim Zotit e që duhet ta përsërisim shumë e shumë herë në jetë.
Mund të na shërbejnë si shembull e si nxitje kthime, si ai i Shën Palit në rrugën e Damaskut, ose si i Shën Agostinit, por edhe në epokën tonë të eklipsit të shenjtërisë, hiri i Hyjit është në punë e vijon të kryejë mrekulli në jetën e shumë njerëzve. Zoti nuk lodhet kurrë së trokituri në portën e njeriut, në rrethana shoqërore e kulturore, që duken të panjohura për shekullarizimin, siç ndodhi me rusin Pavel Florenskij. Pas një edukimi plotësisht agnostik, aq sa t’i shikonte me armiqësi të vërtetë mësimet fetare të dhëna në shkollë, shkencëtari Florenskij arrin të brohorasë: “Jo, nuk mund të jetohet pa Hyjin”, dhe ta ndërrojë plotësisht jetën e vet, aq sa të bëhet murg.
Mendoj edhe për figurën e Eti Hilesum, një e re holandeze me origjinë hebraike, që do të vdiste në Aushvic. Në fillim larg Zotit, e gjen atë, duke hyrë në thellësitë e vetvetes, e shkruan: “Një pus tejet i thellë është brenda meje. E Hyji është në këtë pus. Nganjëherë e arrij, por më shpesh gurë e dhe e mbulojnë: atëherë Zoti varroset. E duhet ta nxjerr përsëri nga dheu”(Ditar, 97). Në jetën e saj të përhumbur e të shqetë, e gjen Zotin pikërisht në zemër të tragjedisë së nëntëqindes, në Shoah. Kjo e re delikate dhe e pakënaqur nga jeta, e shndërruar nga feja, bëhet grua plot dashuri e paqe shpirtërore, e aftë të pohojë: “Jetoj vazhdimisht në bashkim të ngushtë me Zotin”.
Aftësinë për t’iu kundërvënë miklimeve ideologjike të kohës së saj, për të zgjedhur kërkimin e së vërtetës e për t’ia hapur shpirtin, e dëshmoi edhe një grua tjetër e kohës sonë, amerikania Doroti Dei. Në jetëshkrimin e saj rrëfen haptas se kishte rënë në tundimin për ta zgjidhur gjithçka me rrugë politike, duke pranuar propozimin marksist: “Dëshiroja të bashkohem me manifestantët, të burgosem, të shkruaj, të ndikoj mbi të tjerët e t’i lë botës ëndrrën time”. Sa ambicie e sa kërkim të vetvetes kishte në gjithë këtë përpjekje. Ecja në udhën drejt fesë, në një mjedis kaq të shekullarizuar, ishte tejet e vështirë, por Hiri vepron kudo e kurdoherë, siç nënvizon ajo vetë: “E pashë qartë se kisha gjithnjë më shumë nevojë të shkoj në Kishë, të gjunjëzohem, ta ul kokën në lutje. Instinkt i verbër, mund të them, sepse nuk e kisha vetëdijën e lutjes. Gjithsesi shkoja, hyja në atmosferën e uratës…”. Hyji i priu në bashkimin e vetëdijshëm me Kishën, në një jetë kushtuar njerëzve të flakur nga radhët e shoqërisë.
Në epokën tonë nuk janë të pakta kthimet, të kuptuara si shndërrim i atyre që, pas edukimit të krishterë, ndoshta të cekët, largohen për vite nga feja e pastaj rizbulojnë Krishtin e Ungjillin e Tij. Në Librin e Zbulesës lexojmë: “Ja, rri para derës e trokas. Kush e dëgjon zërin tim e ma hap derën, do të hyj tek ai, do të ha darkë me të e ai me mua” (3,20). Shpirti ynë duhet të përgatitet për takimin me Zotin, e pikërisht për këtë nuk duhet të pushtohet nga shpresat e kota, nga dukjet, nga gjërat materiale.
Në këtë Kohë Kreshmësh, në Vitin e Fesë, ta përtërijmë impenjimin tonë në rrugën e kthimit, për ta kapërcyer prirjen e mbylljes në vetvete e për t’ia hapur portën Zotit, duke e parë me sytë e Tij realitetin e përditshëm.Alternativa ndërmjet mbylljes në egoizmin tonë dhe hapjes së zemrës për dashurinë e Zotit e të afërmit, mund të themi se përkon me alternativën e tundimeve të Jezusit: e kjo është alternativë ndërmjet pushtetit njerëzor e dashurisë së Kryqit, ndërmjet ringjalljes, që kërkohet vetëm në mirëqenie materiale, e ringjalljes së parë si vepër e Zotit, të cilin e vëmë në krye të vendit, në jetën tonë. Të bësh kthesë, do të thotë të mos mbyllesh në kërkim të suksesit vetjak, të mos i japësh rëndësi vetes, as pozitës sate , por të jetosh në mënyrë të tillë, që çdo ditë, në sendet e vogla, e vërteta, besimi në Zotin e dashuria të bëhen gjëja më e rëndësishme e jetës.







All the contents on this site are copyrighted ©.