Origjina dhe rëndësia e kësaj dite në jetën e krishterë Qysh kah fundi i
shek. të V, agjërimi i të mërkurës së përhime bashkë me të premten e po asaj jave
bëhet pjesë e Pesëdhjetores si përgatitje për festën e Pashkëve. Mirëpo, kjo ditë
nuk është konsideruar në asnjë mënyrë si fillim i kohës së Kreshmëve, por vetëm si
një përgatitje për të. Sakramentari Gelazian e titullon In ieiunio prima statione.
Në antifonarët dhe në Sakramentarët e shekullit VIII do të quhet caput ieiuni (Krhs.
La celebrazione nella Chiesa, 3, D. Borobio, Leumann (Torino), 1994, fq. 167-168). Teologjia
biblike paraqet kuptim të dyfishtë të përdorimit të hirit. Mbi të gjitha është
jeta fizike e cila shpesh identifikohet me hirin apo pluhurin për të theksuar kështu
një përulje të thellë para Zotit. Por, në anën tjetër, hiri është edhe një lloj simbolike
e paraqitjes së gjendjes së zbehur shpirtërore e cila ka nevojë për agjërim, kthim
në jetë të virtytshme. Abrahami i drejtohet Zotit me këto fjalë: “Ja, unë po marr
guximin të flas me Zotin tim, unë që jam hi e pluhur...” (Zan 18,27). Poashtu edhe
në librin e Jobit, i cili ishte në kufirin e ekzistencës së vet, mundë te lexojmë:
“Në baltë më përplasi pa farë mëshire e jam bërë krejt blozë e pluhur” (Jb 30,19).
Edhe në shumë vende tjera në Shkrimin Shenjt mund të hasim në këso dëshmi, në të cilat
përmendet hiri si shenjë me të cilën shpeshherë njerëzit e identifikojnë gjendjen
e mjeruar në të cilën gjinden (Ur 2,3; Sir 10,10 etj.). Por, hiri është edhe shenjë
e jashtme e atij që pendohet dhe kthehet prej veprave të veta të këqija dhe vendosë
të niset në udhën e kthimit kah jeta me Zotin. Posaçërisht vlen të theksohet teksti
biblik i kthimit të banorëve të Ninivës me rastin e predikimit të Jonës: “Ninivasit
besuan në Hyjin. Shpallën agjërim e u veshën me grathore prej më të madhit e deri
në më të voglin. I arriti lajmi edhe mbretit të Ninivës. U çua nga froni i vet, i
hoqi petkat e veta, e u vesh me thes e u ul në pluhur” (Jn 3,5-9). Edhe Judita
thërret gjithë popullin të bëj pendesë derisa të intervenoj Hyji e t’i liroj: “Çdo
burrë izraelit, gra e fëmijë, që banonin në Jerusalem, ranë me fytyrë për dhe para
Tempullit, e përhinë kryet me hi dhe i shtrinë grathoret para tempullit të Zotit”
(Jd 4,11). Përhimja në traditën kishtare Sa i përket zbatimit të këtij
riti në botën e krishterë, ky rit merret nga praksa hebraike dhe vazhdon te kryhet
me po të njëjtin kuptim apo porosi. Të krishterët që bënin mëkate të rënda duhej
të bënin pendesë publike. Të Mërkurën e përhime, ipeshkvi bekonte shamitë dhe i përhinte
ato me hi. Pendestarët duhej t’i bartnin ato për dyzetë ditë pendese. Riti përbëhej
edhe nga nxjerrja jashtë prej kishe e pendestarëve për shkak të mëkateve të tyre (simbolika
e dëbimit të Adamit e Evës nga kopshti i Edenit). Atëherë ata nuk hynin më në kishë
deri të Enjten e madhe, kur do të meritojnë pajtimin e plotë që e fitojnë përmes zgjidhjes
sakramentale. Arsyeja kryesore e përhimjes ishte kremtimi publik i pendesës; kjo
përbënte në fakt ritin i cili u hapë rrugën pendestare besimtarëve të cilët do të
zgjidhen prej mëkateve të tyre në mëngjesin e të Enjtes së madhe. Me kohë, ky gjest
i përhitjes do të bëhet për të gjithë besimtarët, sepse janë vet ata që do të kërkojnë
të përhihen në shenjë pendese. Kështu, reforma liturgjike e sheh si të nevojshme ruajtjen
e këtij riti. Tani, e Mërkura e përhimë shënon fillimin e kohës së Kreshmëve. Kjo
është kohë pendese, kohë e cila zgjon ndjenja përmirësimi por edhe kthimi të rrënjësishëm
shpirtërorë. Përse përhihemi? Edhe sot nëse shtrohet pyetja përse përhihemi
përgjigjja ka po të njëjtin kuptim si edhe më parë: Hiri është shenjë pendese dhe
na ndihmon të rritemi në përvujtëri dhe flijim. Përhihemi që edhe përmes këtij riti
ta kuptojmë se kjo jetë është e kalueshme. Liturgjia e të Mërkurës së përhime përmban
në vete kuptim të dyfishtë. E gjithë kjo vjen në shprehje më së mirë në formulat e
përhirjes: “Të bie në mend, o njeri, se je pluhur dhe se në pluhur ke për tu kthyer”
(Zan 3,19), dhe tjetra: “Kthehuni dhe besoni Ungjillit” (Mk 1,15). Hiri Hi
është ajo që mbetet pasi të djegur diçka. Në fillim të kreshmëve, të mërkurën e përhime
bekohet një sasi hiri, me të cilën besimtarët do të shënohen në ballë. Përmes shenjës
së kryqit që na bëhet me hi në ballë, shënohet fillimi i kohës së kreshmëve që është
kohë pendese dhe agjërimi. Ky rit ka tri kuptime: a) kur trupi i njeriut vdes, shndërrohet
në hi; b) jemi bërë prej hiri dhe në hi do të kthehemi; c) së fundit, hiri është një
simbolikë antike e pendesës dhe kthimit (Jona 3). Hiri që bekohet të mërkurën e
përhime, bëhet prej djegies së rremave të cilët përdoren të Dielën e Luleve (e diela
e Larit) të vitit kaluar. Hiri na përkujton se Zoti është i dhimbshëm ndaj atyre që
i drejtohen me zemër të penduar. “Ta shndërrojmë jetën, të përhihemi dhe të bëjmë
pendesë. Të agjërojmë dhe të qajmë para Zotit, sepse Hyji ynë ka mëshirë të madhe
për të na i falur mëkatet tona” (Jl 2, 13). Fjala hyrëse „Pluhur
je dhe në pluhur do të kthehesh!“ Ky lajm i Zotit tingëlloi në të Mërkurën e përhime.
Këtë fjalë do ta dëgjojmë edhe ne sot. A thua ky lajm është i gëzueshëm? A thua nuk
është ky një lajm që na prish gëzimin? Unë mendoj se jo. Me këtë lajm unë e kujtoj
një të vërtetë të fesë sime: jam i krijuar. Un nuk jetoj pa kufij në këtë tokë. Kjo
është e vërteta dhe kjo është ashtu. Mirëpo nëse unë kthehem në pluhur, në të njëjtën
kohë kthehem te shtëpia e Atit, unë kthehem në shtëpi. „Po shkoj që t`ju përgatis
banesën“, na ka thënë e premtuar Jezu Krishti. Njëkohësisht lajmi se jam pluhur dhe
se në pluhur do të kthehem ma përkujton dhe më bën të vetëdijshëm për kohën e kufizuar
të jetës sime, se sa e çmueshme është koha. Gjithë ajo që nuk kam për së tepërmi,
që më është dhënë në një sasi të kufizuar, është shumë e çmueshme. Për këtë arsye
do të duhej ta pyesim sot veten: Si e përdori unë kohën time të çmueshme? Ç`është
ajo gjë e rëndësishme që unë po ia kushtoj kohën time? Ç`është ajo gjë e parëndësishme
që nuk ia kushtoj kohën time. Kjo mund të më ndihmojë për një thellim më të më madh
të jetës sime.