2013-02-13 14:37:51

Atë Lombardi: Konklavi mblidhet ndërmjet ditës së 15-të dhe të 20-të, pas dorëheqjes së Papës


Zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi u takua sot sërish me gazetarët për të dhënë informacione e lajme të tjera për veprimtarinë e Papës Benedikti XVI, në ditët që e ndajnë nga 28 shkurti, kur në orën 20.00 do të lerë detyrën e vet në udhëheqje të Kishës Katolike. Disa, argumentet e trajtuara: kalendari i veprimtarive, zhvillimi i Konklavit, plotësimi i emërimeve për Selinë Vakante, duke përfshirë presidentin e Institutit për Veprat Fetare, apo të bankës vatikanase IOR e përgjigjet ndaj pyetjeve të gazetarëve.RealAudioMP3
Pasi përshkroi atmosferën prekëse të audiencës së përgjithshme, pritjen e ngrohtë, që besimtarët i rezervuan Benediktit XVI, atë Lombardi komentoi sërish vendimin e Atit të Shenjtë për të dhënë dorëheqjen dhe theksoi:
“Nëse ndokush mund të ndjehet i çorientuar nga kjo gjendje, fjalët e Papës e ftojnë ta përjetojë situatën me fe e qetësi, me sigurinë se Kisha është e Krishtit”.
Më pas, atë Lombardi sqaroi takimet e veprimtaritë e Benediktit XVI, duke filluar nga dita e nesërme, në të cilën Ati i Shenjtë do të takohet me klerin e Romës. Të premten, më 15 shkurt, audienca me presidentin e Rumanisë, takimi me ipeshkvijtë e Liguries në vizitë “ad Limina” dhe me Fondacionin pro Petri Sede.
Të shtunën, më 16 shkurt, Papa do të takohet me presidentin e Guatemalës, me ipeshkvijtë lombardë, ndërsa pasdite, në orën 18.00, do të presë në audiencë private kryeministrin e Italisë, Mario Monti.
Të dielën, në orën 12, Lutja e Engjëllit të Tënzot. Në orën 18.00 fillojnë ushtrimet shpirtërore me Kurien Romake, drejtuar këtë vit, nga kryetari i Këshillit Papnor të Kulturës, kardinali Xhanfranko Ravazi. Kjo është arsyeja që gjatë javës së ardhshme do të pezullohen të gjitha veprimtaritë e Benediktit XVI, duke përfshirë audiencën e përgjithshme, siç bëhet çdo vit, për t’u lejuar Papës dhe kardinajve të ndjekin ushtrimet shpirtërore.
Të shtunën, më 23 shkurt, pasi të përfundojnë ushtrimet shpirtërore në Vatikan, Benedikti XVI do të takohet me presidentin italian, Xhorxho Napolitano.
Të dielën, 24 shkurt, si zakonisht, Lutja e Engjëllit të Tënzot me besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit. Të nesërmen, Papa do të takojë disa kardinaj në audienca private, por është anulluar takimi me ipeshkvijtë e Markeve.
Të mërkurën, 27 shkurt, ditë jashtëzakonisht e rëndësishme, pasi do të zhvillohet audienca e fundit e përgjithshme e Benediktit XVI. Do të mbahet në Sheshin e Shën Pjetrit, për shkak të numrit të madh të besimtarëve, që parashikohet të marrin pjesë.
Të enjten, më 28 shkurt, në orën 11, kardinajtë do të përshëndesin Papën në Sallën Klementine në Vatikan. Në orën 18.00, Papa do të shkojë me helikopter në Kastel Gandolfo, ndërsa në orën 20, fillon Selia Vakante. Të gjitha predikimet e Krezhmëve në Vatikan dhe impenjimet e mëpasme të Atit të Shenjtë anullohen.
Atë Lombardi, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve shpjegoi edhe se Konklavi do të mbahet ndërmjet ditës së 15-të e të 20-të pas fillimit të Selisë Vakante. Ditët e mëparshme, gjatë të cilave, në rastin e vdekjes së një pape, mbahet zi e kremtohet funerali, do të përdoren nga kardinajtë për konsultime e për diskutime, nga ku do të dalë profili i Papës së ri, që i nevojitet Kishës Katolike në këtë çast historik.
“Duhen shkëmbyer informacione, duhet reflektuar e duhet bërë një shoshitje nga ana e kolegjit kardinalor, që çon në ditët kyç të Konklavit për zgjedhjen e Papës. Pra, ka një përgatitje, pa dyshim. Kushtetuta e Vatikanit thotë qartë se Konklavi duhet caktuar ndërmjet ditës së 15-të e të 20-të nga fillimi i Selisë Vakante e jo më parë”.
Ndërkaq, sot, Ati i Shenjtë emëroi Dëgjuesin e Përgjithshëm të Dhomës Apostolike, që do të jetë imzot Xhuzepe Shaka, ipeshkëv i Fondit, Sekretar i përgjithshëm i Guvernatoratit të Shtetit të Vatikanit. Ja çfarë sqaron atë Lombardi:
“Ky emërim ka të bëjë me Selinë Vakante, me të ashtuquajturën Dhomë Apostolike, që kryen funksione me karakter logjistik-administrativ e ka kompetenca për akte të veçanta. Udhëhiqet nga Kamerlengu, i cili kryen funksione të rëndësishme gjatë Selisë vakante, nga zv.Kamerlengu, imzot Çelata dhe nga Dëgjuesi i përgjithshëm, i cili është këshilltari më i afërt juridik i Kamerlengut”.








All the contents on this site are copyrighted ©.