Vatikani e Shqipëria vazhdon bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë
Selia e Shenjtë dhe Republika e Shqipërisë vijojnë e madje pèrforcojnë bashkëpunojnë
në fusha të ndryshme të shëndetësisë, si mbështetje në drejtim të diagnostikimit,
menaxhimit spitalor dhe trajnim stafi, etj. Zyra e Shtypit e Ministrisë së Shëndetësisë
së Shqipërisë bëri të ditur se ministri shqiptar Vangjel Tavo zhvilloi sot një vizitë
zyrtare në Vatikan, në kuadër të nënshkrimit të disa marrëveshjeve në fushë të shëndetësisë.
Marrëveshjet
e nënshkruara parashikojnë mbështetje në drejtim të diagnostikimit, menaxhimit spitalor,
trajnim të stafeve mjekësore e shkëmbim eksperience, etj. Ndërkohë, parashikohet bashkëpunimi
me disa spitale kryesore, bën të ditur MSH. Marrëveshje janë nënshkruar me spitalin
“Zemra e Shenjtë”, “Bambino Gesu”, si dhe poliklinikën Agostino Gemelli. MSH ka
pasur bashkëpunim në vite me institucionet shëndetësore, Ente të Selisë së Shenjtë
në Vatikan. Kështu, në 2010 është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi ndërinstitucionale
me Universitetin Katolik të “Zemrës së Shenjtë”, Fakultetin të Mjekësisë dhe Kirurgjisë
“A. Gemelli”, Poliklinikën Universitare “ Agostino Gemelli” dhe qendrën e kërkimit
dhe formimit të teknologjisë së lartë për shkencat biomjekësore “Gjon Pali II” e Kampobasos.
Marrëveshja konsistonte në pritjen e pacienteve shqiptarë me patologji të rënda dhe
të komplikuara, jo të shërueshme apo me kura të vështira, favorizim për formim profesional
për personelin shqiptar mjekësor ose jo mjekësor në Poliklinikën Universitare "Agostino
Gemelli” dhe bursa për mjekë dhe infermierë specialistë, si dhe përfshirjen e mjekëve
shqiptarë në proceset e trajnimit në distance. Para disa vitesh, më 2007, është
nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Qendrën Kërkimore Spitalore të Selisë së Shenjtë
“Bambino Gesu” dhe më 2008, një plan bashkëpunimi ndërinstitucional me spitalin “
Casa Sollievo della sofferenza”, San Giovanni Rotondo.