2013-02-12 15:15:46

Opinion: Dorëheqja e Papës dëshmon se pushteti nuk është monopol


Me njoftimin e papritur të dorëheqjes, Papa Benedikti XVI i drejtoi një mesazh me rëndësi të dorës së parë mbarë botës. Mesazhin se pushteti nuk është monopol. Është i bindur për këtë atë Rifat Bader, drejtor i Catholic Centre for Studies and Media, me seli në Amman. “Kur u zgjodh, më 19 prill të vitit 2005, Papa i falënderoi kardinajtë, kujton Bader, sipas të cilit me këtë hap, Benedikti XVI ndoshta dëshiron të themelojë një kanun të ri, sipas të cilit Papa mund edhe të japë dorëqehjen, pasi të ketë mbushur moshën 85 vjeç, ashtu si bëjnë kardinajtë përtej moshës 75 vjeçare.
Për atë Bader, mosha e shtyrë është vetëm një nga arsyet e këtij vendimi të guximshëm. Krishterimi, shpjegon ai, e konsideron ushtrimin e pushtetit as më pak e as më shumë se shërbim e ky është edhe mesazhi i Papës, në radhë të parë për drejtuesit e Kishës, e pastaj, edhe për liderët civilë e politikë. Drejtimi, në të gjitha fushat e jetës, kërkon forcë fizike e morale. E Papa i dha botës një mësim të çmuar, duke hequr dorë nga pushteti e duke u shkëputur nga detyrat e tij të rëndësishme. Prej këndej, historia do ta kujtojë Benediktin XVI si një nga papët më të mëdhenj të saj, sepse hoqi dorë vetë nga pushteti, pa ia kërkuar kush dorëheqjen. Në figurën e tij besimtarët e Kishës shikojnë një model të denjë për t’u ndjekur, sepse shembull i njeriut, që jo vetëm e predikon shkëputjen nga të mirat e botës, tejet tunduese, por edhe e jeton, duke hequr vullnetarisht dorë nga pozita e pushteti, pas të cilit shumëkush kapet pashkëputshëm, pa menduar aspak se në këtë botë, gjithçka e ka një fund.







All the contents on this site are copyrighted ©.