2013-02-12 17:38:24

Mozaik opinionesh për dorëheqjen e Papës Benedikti XVI: nga Ban Ki-moon, tek Obama, Merkel e….


Të mëdhenjtë e tokës, nga Ban Ki-moon, tek presidenti Obama, kancelarja Merkel e shumë të tjerë, shprehën respektin e thellë përballë njoftimit të pashoq të Benediktit XVI për të lënë detyrën tejet të lartë, duke u radhitur, kështu, i pari, në analet e historisë moderne si papë, që heq dorë nga papnia.

Ban Ki-moon: urtia e Papës, trashëgimi, mbi të cilën mund të ngrihet ardhmëria e tolerancës.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon e vlerëson lart impenjimin e Papës Benedikti XVI në temën e dialogut ndërfetar dhe në përpjekjen për të përballuar sfidat globale, si lufta kundër varfërisë e urisë, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe e paqes. Në një notë, Ban Ki-moon shpreh besimin se urtia, që dëshmoi Jozef Ratcinger gjatë papnisë së tij, do të jetë një trashëgimi, mbi të cilën do të mund të ngrihet ardhmëria e dialogut dhe e tolerancës.

Në emër të të gjithë amerikanëve - theksoi presidenti Obama, unë e Mishelë, dëshirojmë t’i shprehim Benediktit XVI vlerësimin tonë e ta sigurojmë se lutemi për Shenjtërinë e Tij. Kisha luan një rol themelor në SHBA e në Botë- shtoi Obama.
Me lutjet e presidentit amerikan, bashkohet edhe folësi i Dhomës, John Boehner, katoliku me pozitën më të lartë në institucionet amerikane.
E ky lajm preku thellë edhe një grua, e cila nuk preket aq lehtë: Angela Merkel, e cila e përshëndeti Papën gjerman me respektin më të thellë, e vetëdijshme për vendimin e vështirë, që mori. “Papa, pohoi Kancelarja gjermane, është e mbetet një nga mendimtarët më të mëdhenj fetarë të epokës sonë”
I një mendjeje me Kancelaren, edhe presidenti gjerman, Joachim Gauck, i cili kujtoi vlerën historike që ka për të gjithë gjermanët, papnia e Jozef Ratcinger.

I çuditur nga dorëheqja e Papës, presidenti francez Hollande foli për vendim njerëzor, marrë nga një Njeri, që duhet respektuar. E pastaj, me shaka, shtoi: “Nuk do të paraqesim ndonjë kandidat tonin”.
Më pragmatik, kryeministri Britanik, David Kameron, që kujtoi se Papa punoi pa pushim për të fuqizuar lidhjet ndërmjet Britanisë së Madhe dhe Kishës së Shenjtë e se do të ndjehet fort mungesa e tij, si prijës shpirtëror i miliona njerëzve.
Nderim e respekt për vendimin e Benediktit XVI shprehën edhe përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian, duke nisur nga Herman van Rompuy “i cili nuk është në vijë me traditën”.
Po ashtu edhe kryetari i Komisionit të BE Josè Manuel Barroso, i cili nënvizoi se e priti lajmin me emocion të thellë.
“Respekt absolut”, është komenti i vetëm i Spanjës katolike.
Ndërsa Alberti i Monakos shprehet plot emocion për vendimin e guximshëm të Atit të Shenjtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.