2013-02-12 16:05:37

Krezhmët: Mesha e së Mërkurës së Përhime do të kremtohet nga Papa në Shën Pjetër


Në prag të Krezhmëve, një ditë para së Mërkurës së Përhime, Kisha Katolike përjeton një gjendje pritjeje, pas vendimit të Papës Benedikti XVI për të dhënë dorëheqjen më 28 shkurt. Duke parashikuar se nesër, si në audiencën e përgjithshme, ashtu edhe në Meshën e Përhimjes, së kremtuar nga Ati i Shenjtë, do të ketë një numër të madh besimtarësh, është vendosur që kremtimet të bëhen në Vatikan. Audienca e përgjithshme, si zakonisht, në Sallën Pali VI, ndërsa Mesha, me të cilën fillon periudha e Krezhmëve, do të kremtohet në Bazilikën e Shën Pjetrit e jo në ato të shën Anselmit e shën Sabinës, siç ishte parashikuar. Ora e kremtimit nuk ka ndryshuar, është gjithnjë ora 17 e ditës së nesërme.
Gjatë viteve të fundit, në homelinë e së Mërkurës së Përhime, Papa Benedikti XVI e ka përqendruar vëmendjen në kthimin e zemrave në rrugën e Zotit. Krezhmët janë porta, përmes së cilës hyjmë në një përmasë, që e bën të shndrisë gjithçka të krishterë – kthimin personal, bamirësinë ndaj të afërmit, thjeshtësinë e jetës – kaq fuqishëm, sa të duken si diamante në vitrinën e një argjendari. Por nuk do të vlenin asgjë – një rrëfim më shumë, një lëmoshë, një agjërim – nëse përveçse në kokë, të mos binte edhe në zemër një grusht me hi, pra, nëse secili prej atyre gjesteve të mos ishte fryt i një akti të vetëdijshëm përvuajtërie para Zotit e jo vuajtje e shfaqur për një grusht duartrokitjesh, siç ndodhi me fariseun e Ungjillit. Kështu na ka mësuar Benedikti XVI, Papa i përvuajtur, gjithnjë në kërkim të dashurisë së Zotit:
“Kthim do të thotë të pranosh lirisht e me dashuri se varesh krejtësisht nga Zoti, Krijuesi ynë i vërtetë, të pranosh se varesh nga dashuria. Kjo nuk është varësi, por liri. Ta kthesh zemrën kah Hyji do të thotë pra, të mos ndjekësh suksesin tënd personal – i cili kalon – por, duke lënë mënjanë çdo siguri njerëzore, të ndjekësh me thjeshtësi e besim Zotin, në mënyrë që për secilin prej nesh, Jezusi të bëhet, siç i pëlqente të përsëriste së Lumes Nënë Terezë të Kalkutës, krejtësisht yni në gjithçka”.
Papa na ka kujtuar gjithmonë se nuk është njeriu, arkitekti i fatit të tij të amshuar, por Zoti, prandaj kthimi i zemrës kah Hyji…
“…nuk është një vendim i thjeshtë moral, që na ndryshon sjelljen në jetë, por është vendim feje, që na përfshin krejtësisht në bashkimin intim me një njeri të gjallë e konkret, me Jezusin. Të kthehesh e të besosh në Ungjillin nuk janë dy gjëra të ndryshme, apo, në një farë mënyre, thjesht të vendosura pranë e pranë, por shprehin të njëjtin realitet”.
E gjithnjë duke folur për përvuajtërinë e kthimit në rrugën e Zotit, Papa Racinger na ka shpjeguar se është fjala për një virtyt “të vështirë”. Kur ulim kryet, për shumë vetë është shenjë humbjeje, por harrojmë se jeta e krishterë nuk është ndjekja e ligjeve, por takimi me një Person të vetëm, me Jezu Krishtin. E ka vetëm një mënyrë për të hyrë në kontakt me Të: lutja. Edhe në këtë fushë, Benedikti XVI është mjeshtër i vërtetë:
“Kisha e di se, për shkak të dobësisë sonë, është e lodhshme të rrimë në heshtje para Zotit, për t’u bërë kështu, të vetëdijshëm se jemi krijesa, që varen prej Tij, se jemi mëkatarë, që kanë nevojë për dashurinë e Tij; për këtë, gjatë Krezhmëve, Kisha na fton të lutemi më shumë e me besim më të madh, si edhe të meditojmë gjatë Fjalën e Zotit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.