2013-02-12 14:53:48

Kremtimi i Zojës së Lurdit në Katedralen Nënë Tereza në Vau-Dejës


Në nder të festës së Zojës së Lurdit, Ditës Ndërkombëtare të lutjes për të sëmurët, më 11 shkurt 2013, Kisha Dioqezane e Sapës u mblodh në Katedralen Nënë Tereza në Vau-Dejës për të bashkëkremtuar këtë ditë me Ipeshkvin e saj, Imzot Lucjan Avgustini dhe meshtarët e tjerë të Sapës. Përveç besimtarëve të shumtë, të ftuar të veçantë ishin të sëmurët shoqëruar nga pjesëtarët e familjeve të tyre, nga Motrat dhe meshtarët që shërbejnë në famulli.
Kisha gjithmonë i kushton një kujdes të posaçëm atyre që vuajnë në vuajtjet e trupit dhe lutet për ta. Ndaj dhe sot me rastin e kësaj dite, Ati i Shenjtë Papa Benedikti XVI dërgon mesazhin me titull: “Shko, e bëj edhe ti kështu”. Papa Benedikti XVI thekson në këtë mesazh se “Kjo ditë është për të sëmurët, për punëtorët e shëndetit, për besimtarët e krishterë, për të gjithë personat vullnet mirë “një moment i fortë lutjeje, bashkëndarjeje, ofrimi të vuajtjes për të mirën e Kishës dhe një thirrje për të gjithë për të njohur në fytyrën e të sëmurit Fytyrën e Shenjtë të Krishtit që, duke vuajtur, duke vdekur e duke u ngjallur i ka sjellë shpëtimin njerëzimit. Në këto kushte thekson Ati i Shenjtë, ndihem në mënyrë të veçantë afër secilit prej jush, të dashur të sëmurë që në vendet e kujdesit ose në shtëpi, jetoni një moment të vështirë prove për shkak të sëmundjes ose të vuajtjes”.
Ndërkohë, Ipeshkvi i vendit nga altari i Katedrales Nënë Tereza lëshoi thirrjen që të angazhohemi secili për të jetuar Ungjillin në shërbim, duke e parë në të sëmurin vetë Jezu Krishtin. Në këtë vit të fesë të cilin kemi filluar ta jetojmë tha ai përmes lutjeve dhe shtegtimeve të ndryshme dioqezane, përbën një rast të përshtatshëm për të dendësuar diakoninë e bamirësisë në bashkësitë tona kishtare, për të qenë secili samaritani i mirë ndaj tjetrit, ndaj atij që na është afër.
Gjatë këtij kremtimi secili besimtar u lut për shëndetin e të sëmurëve, duke ia besuar ndërmjetësisë së Shenjtës Virgjërës Mari, dhe duke i kërkuar që t’i shoqërojë ato në kërkim të ngushëllimit e të shpresës që të mund ta përballojnë kryqin e jetës me dashuri si vetë Jezu Krishti.
Pas tryezës eukaristike, Caritasi Dioqezan i Sapës shtroi dhe një drekë vëllazërore për të gjithë të sëmurët e pranishëm.
Violeta Marashi







All the contents on this site are copyrighted ©.