2013-02-12 16:48:44

Intervistë me gazetarin Sevald: Papa, njeri i lirë, që nuk ka frikë nga asgjë


Ja intervista me gazetarin Peter Sevald realizuar më 23 nëntor 2010 me rastin e botimit të librit “Drita e botës. Papa, Kisha, shenjat e kohëve”, në të cilin libër-intervist Benedikti XVI pati folur rreth mundësisë së dorëheqjes së Papës nga shërbimi i udhëheqjes së Kishës. Ky libër është rezultat i një bashkëbisedimi gjashtë ditor i gazetarit Sevald me Benediktin XVI. Kjo qëndron pas librit-intervistë “Drita e botës. Papa, Kisha, shenjat e kohëve”. Kështu tregon në mikrofonin tonë autori, gazetari gjerman Peter Sevald, i cili pranon se për mungesë kohe, nuk arriti të prekë të gjitha argumentat që dëshironte, ndër to, edhe persekutimin e të krishterëve në botë. Me këtë vëllim, mbyllet trilogjia e librave, që gazetari ka realizuar fillimisht me kardinalin Jozef Racinger e tani me Papën Benedikti XVI. Ç’ka ndryshuar në bisedën me të? Përgjigjet vetë Peter Sevald:
Epo, një herë ka ndryshuar se është bërë Papë. Është aureolë e rëndësishme, ajo që lidhet me këtë shërbim, prandaj bashkëbisedimi është i ndryshëm, bazohet mbi një respekt të jashtëzakonshëm. Pastaj, kanë kaluar vite…Gjithsesi, kur fillon e flet me të – e vërtet ta lehtëson shumë punën – atëherë e kupton se në realitet nuk ka shumë ndryshime. “Thelbi” i Jozef Racinger nuk ka ndryshuar, as përzemërsia e tij e aq më pak, përvujtëria e tij e madhe, apo forca intelektuale, aftësia e jashtëzakonshme për të formuluar mendimet. Si të thuash? Në të vërtetë, është bërë edhe më i përvujtë, edhe më i thjeshtë e kjo më ka ngjallur admirim.
Për një gazetar është e vështirë të harrojë se ka përpara Papën, apo ai bëhet një bashkëbisedues si shumë të tjerë?
Natyrisht, nuk është një bashkëbisedues si shumë të tjerë. Është një situatë e pazakontë për gazetarin. Është intervista e parë e këtij lloji me një Papë, biseda e parë personale dhe e drejtpërdrejtë. Prandaj, nuk është e lehtë të sillesh sikur nuk e ke Papën përpara: e di mirë se me kë po flet, e di se nuk është njeri i zakonshëm, por bariu më i lartë i njërës nga bashkësitë fetare më të mëdha të botës e se ajo që thotë ka rëndësi të madhe dhe ka peshë edhe pyetja që i bën. Është e rëndësishme të paraqiten koncepte të mira: nuk është ndonjë histori, në të cilën zhytesh pa u përgatitur, pasi do ta humbje kot rastin e jashtëzakonshëm. E kjo natyrisht, është përgjegjësi e madhe.
Ju i keni bërë Papës shumë pyetje. Si lindën ato? Jeni marrë vesh më parë? A ka refuzuar ndonjë pyetje?
Ky libër-intervistë ka qenë ide e imja. Para pesë vjetësh, bëra kërkesën për herë të parë, duke thënë se kisha dëshirë t’i bashkangjisja një libër të tretë, dy të parëve. Fillimisht, dëshironim të bënim një intervistë mbi pesë vjetët e parë të papnisë, edhe në dritën e librit të dytë të Papës mbi Jezusin. Pastaj, gjendja aktuale e sidomos kriza e shpërdorimeve seksuale, imponoi ndryshime. Doja t’i bëja ato pyetje, që i interesojnë opinionit publik të sotëm. Nuk është libër mbi fenë, si për shembull libri “Kripa e tokës”, por një tekst, që trajton pyetjet e njerëzve. Ati i Shenjtë nuk refuzoi asnjërën prej pyetjeve: është njeri i dialogut, s’ka asnjë problem në konfrontimin me pyetje kritike e biseda ka qenë absolutisht e lirë.
Gjatë këtyre ditëve është folur shumë vetëm për disa nga tematikat e librit. Si e ndjeni veten ju si autor, kur shihni se libri është reduktuar në dy-tri koncepte, si për shembull, përdorimi i prezervativit…
Eh, jam prej kohësh në fushën e komunikimeve shoqërore dhe e di si shkojnë punët. E di se gjendja është bërë më e mprehtë e se është gati e pamundur të flitet për argumentat e librit, në mënyrë të diferencuar. Ka një argument ngacmues, që është “Kisha dhe seksi”, e mediat nxisin ata që janë pro fjalëve të Papës kundër atyre që janë kundër. Por nuk shqetësohem shumë, sepse njerëzit do ta marrin në dorë librin e do ta lexojnë vetë. Aspekti më i bukur është se, përmes librit, kemi mundësi ta shohim Atin e Shenjtë me sy tjetër, jo përmes mediave. E rëndësishme është që të kuptohet një gjë: Papa, Kisha kalojnë në ofensivë, nuk mund të trajtohen gjithnjë si të persekutuar, ose nuk mund të përqëndrohet gjithçka mbi shpërndorimet seksuale, por kemi sërish në dispozicion krejt argumentet, ofertën e pasur të krishterimit. E që kjo shkakton një interes të jashtëzakonshëm në nivel botëror, është gëzim i madh.







All the contents on this site are copyrighted ©.