2013-02-12 15:16:20

Atë Lombardi: Papa dha një dëshmi madhështore të lirisë shpirtërore


Dje, krejt papritmas, Benedikti XVI njoftoi, në Kolegjin Kardinalor, se jep dorëheqjen nga ministeri papnor, duke nisur nga ora 20.00 e 28 shkurtit të ardhshëm. E duke filluar nga kjo datë e nga kjo orë, Selia e Shenjtë do të konsiderohet ‘vakante’ e do të mund të thirret Konklavi. Lajmi, që pushtoi menjëherë mediat kryesore të mbarë botës, u komunikua nga vetë Papa, gjatë Koncistorit të zakonshëm publik të orës 11.00, në të cilin do të trajtoheshin çështjet e shenjtërimit të një grupi martirësh e të dy rregulltareve. Ndërmjet arsyeve kryesore të vendimit, që mori Benedikti XVI, është mosha e shtyrë, me shterimin e vazhdueshëm të forcave, mbi të cilat nuk mund të mbështetet më për ta kryer si duhet një detyrë kaq të rëndë e të rëndësishme, me peshë botërore. Kujtojmë se Papa është kryebari i rreth dy miliard besimtarëve të krishterë: grigjë tepër madhe, që të ngarkon me përgjegjësi të jashtëzakonshme, në një botë, ku ka edhe ujqër, të cilët Benedikti XVI i pati kujtuar që në homelinë e e Meshës së tij të parë si papë.
Një veprim tepër i guximshëm, që i mrekulloi të gjithë. Kështu, thënë përmbledhtas, u shpreh drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, në takimin menjëherë pas lajmit për dorëheqjen e Papës. Atë Lombardi pohoi se “Benedikti XVI do t’i respektojë impenjimet, sipas kalendarit të muajit shkurt, duke përfshirë edhe audiencën e përgjithshme të së mërkurës së ardhshme si dhe lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës. Të mërkurën do të kryesojë Liturgjinë e Përhimjes në orën 17.00 në bazilikën e Shën Pjetrit, e jo në atë të Shën Sabinës mbi Aventin, si çdo vit.

“Papa na zuri paksa në befasi”: “Një deklaratë e shkurtër, e ndjekur me frymën pezull, në sa besoj se shumica e të pranishmëve nuk kishte asnjë njoftim për atë, që përgatitej të kumtonte Ati i Shenjtë”. Kështu, thënë me dy fjalë, u shpreh atë Lombardi në takimin me shtypin, pas dorëheqjes së Benediktit XVI. Drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit iu rikthye tekstit të lexuar nga Papa në përfundim të kremtimit të Koncistorit. Nënvizoi se ishte përfundim personal, i thellë, i marrë në atmosferën e lutjes përballë Zotit, i cili ia ka ngarkuar misionin, që po kryen.
“Papa – tha atë Lombradi, e rrëmoi vazhdimisht ndërgjegjen e u bind, kështu, se forcat e tij, për shkak të moshës së shtyrë, nuk janë më të përshtatshme për të ushtruar si duhet ministerin papnor. E përjashtoi plotësisht çdo hamendje sipas të cilës, për të marrë një vendim kaq të rëndësishëm, mund ta ketë shtyrë gjendja emocionale, ajo shëndetësore ose ndonjë vështirësi tjetër. Benedikti XVI, vijoi Atë Lombardi, muajtë e fundit vërejti një farë rënie të forcave e prej këndej, mungesën e drejtpeshimit ndërmjet detyrave, që duhet të kryejë e forcave të ligështuara,
Duke ripohuar se ky vendim është në përkim me Kanunin 332 të Kodit të së Drejtës Kanonike, kujtoi se Ati i Shenjtë do të vijojë plotësisht funksionet e tij deri në orën 20.00 të 28 shkurtit, pastaj do të nisë selia vakante; Benedikti XVI do të shkojë në Kastel Gandolfo, e më pas, në ish-manastirin e motrave të klauzurës në Vatikan, për t’iu kushtuar lutjes e reflektimit. Duke iu përgjigjur pyetjeve të shumta të gazetarëve, atë Lombardi e përjashtoi mundësinë që Papa të marrë pjesë në Konklav, por pohoi se Pasardhësi i ri i Shën Pjetrit ka mundësi të zgjidhet para Pashkëve. “Situatë e re”, vijoi drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, që nuk është parë prej shekujsh.
Atë Lombardi shprehu, pastaj, edhe admirimin e tij personal për vendimin e Papës:
Përveç asaj, që tha kardinali Sodano, nënvizoj admirimin tim të thellë, sepse ky është guxim i madh, liri e madhe shpirti, vetëdije e madhe për përgjegjësinë e tij e edhe për dëshirën, që ministeri i qeverisjes së Kishës të ushtrohet sa më mirë, e me këtë, më duket se na dha një nga dëshmitë më madhështore të lirisë shpirtërore. Kam admirim jashtëzakonisht të madh për këtë akt i cili, ashtu si të gjitha aktet, që bëhen për herë të parë pas qindra vjetësh, kërkon guxim të madh e vendosmëri të madhe. Njëkohësisht është e qartë se ky nuk ishte vendim i marrë aty për aty”.
Deklarata e Papës, pra, shtoi atë Lombardi, është në përkim të plotë me atë, që pati deklaruar edhe në librin-intervistë “Drita e botës”, të Peter Seewald, në të cilin , duke iu përgjigjur dy pyetjeve mbi hamendjen e dorëheqjes, pati shpjeguar: “Kur Papa bindet plotësisht se nuk është më në gjendje fizike, mendore e shpirtërore ta kryejë detyrën, që i është besuar, atëherë ka të drejtë, e në disa rrethana, edhe detyrë, të heqë dorë”. Por pati shtuar edhe se dorëheqja është e mundur, vetëm një një çast qetësie, e jo në mes të situatave shqetësuese për Kishën.










All the contents on this site are copyrighted ©.