2013-02-11 17:48:17

Papnia e Benediktit XVI: 8 vjet nën shenjën e fesë.


“Unë, shërbëtor i ligshtë i Zotit, duhet ta marr mbi vete këtë detyrë të pashembullt, që e kapërcen çdo aftësi njerëzore”. Me këto fjalë, shqiptuar në homelinë e 24 prillit 2005, e niste papninë e tij Benedikti XVI.
E, në Meshën për fillimin e papnisë, shpjegonte: “Programi im i vërtetë i qeverisjes, është të mos bëj vullnetin tim, të mos ndjek idetë e mia, por të vihem, me gjithë Kishën, në dëgjim të fjalës e të vullnetit të Zotit e ta lë veten të më prijë Ai vetë”.
U zgjodh në fronin e Shën Pjetrit më 19 prill 2005, në moshën 78 vjeçare, duke u bërë Papa i shtatë gjerman në historinë e Kishës, pas një Konklavi, që zgjati vetëm dy ditë, me katër numërime votash. Zinte vendin e Gjon Palit II.
Në fjalimin e parë të Benediktit XVI, ndjekur nga bekimi Urbi et Orbi-Romës e Botës, nuk mungoi kujtimi për paraardhësin: “Pas Papës së madh Gjon Pali II, zotërinjtë kardinaj më zgjodhën mua, punëtorin e thjeshtë e të përvuajtur në vreshtin e Zotit. Më ngushëllon fakti se Zoti di të punojë e të veprojë edhe me mjete të mangta dhe të pakta e, posaçërisht, mbështetem në lutjet tuaja”.
Me rastin e audiencës së parë të përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, më 27 prill 2005, shpjegonte arsyet e zgjedhjes së emrit papnor: “Desha të quhem Benedikti XVI për t’u rilidhur simbolikisht me papën e nderuar Benedikti XV, i cili i priu Kishës në një periudhë tejet të trazuar, për shkak të luftës botërore.
Qe profet guximtar e i vërtetë i paqes e punoi me qëndresë burrërore, një herë për ta shmangur dramën e luftës, e pastaj për t’i kufizuar pasojat e saj ogurzeza. Dëshiroj të ec mbi gjurmët e tij, në shërbim të paqes e të harmonisë ndërmjet njerëzve e popujve, me bindje të thellë se e mira e madhe e paqes është, mbi të gjitha, dhuratë e Zotit, ndonëse tejet e brishtë dhe e çmuar, për të cilën duhet të lutemi e ta ruajmë, duke e ndërtuar ditë për ditë me ndihmesën e të gjithëve”.
Më 7 maj 2005, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, gjatë Meshës për fillimin e papnisë, Benedikti XVI e përsëriti edhe një herë konceptin e “shërbëtorit të ligshtë të Zotit”: “Ai, që kryen misionin papnor, duhet të jetë i vetëdijshëm se është njeri i brishtë e i ligshtë – siç janë të brishta e të ligshta forcat e tij - e gjithnjë nevojtar për pastrim e pendesë”.
Gjatë pothuajse tetë vjetëve të papnisë, Benedikti XVI e vuri gjithnjë fenë, në qendër të çdo veprimtarie. Një primat, që e pati theksuar në Eukaristinë Pro Eligendo Romano Pontefice kur, si dekan i Kolegjit kardinalor, aso kohe ende Jozef Ratcinger, pohonte: “ Një fe, që ndjek valët e modave dhe të renë e fundit, nuk mund të themi se ka fituar pjekurinë. E rritur dhe e pjekur është feja e ngulitur thellësisht në miqësinë me Krishtin. Është kjo miqësi, që i hap rrugën gjitha të mirave e që na jep kriterin për të dalluar çiltërsinë, nga mashtrimi; të vërtetën, nga gënjeshtra”.
Gjatë papnisë së tij, Benedikti XVI shkroi e shpalli tri Letra enciklike (“Deus caritas est”, “Spe salvi” dhe “Caritas in veritate”).
Veç tyre, botoi katër Nxitje apostolike pas sinodale: “Sacramentum Caritatis”, kushtuar Eukaristisë si burim e kulm i jetës dhe i misionit të Kishës (22 shkurt 2007), “Verbum Domini”, kushtuar Fjalës së Zotit në jetën dhe misionin e Kishës (30 shtator 2010); “Africa munus”, kushtuar Kishës në Afrikë, në shërbim të pajtimit, të drejtësisë e paqes (19 nëntor 2011); “Kisha në Lindjen e Mesme: bashkim e dëshmi” (14 shtator 2012), kushtuar pikërisht Kishës së kësaj zone të trazuar të botës.
Botoi tre libra personalë, kushtuar figurës historike të Jezu Krishtit: “Jezusi i Nazaretit”(2007); “Jezusi i Nazaretit. Nga hyrja në Jerusalem deri në ngjallje”(2011); dhe “Fëmijëria e Jezusit” (2012).
Benedikti XVI shtegtoi në 21 vende të të pesë kontinenteve: vizitoi tri herë Gjermaninë (shtegtimi i parë apostolik jashtë kufirit, ai për Ditën Botërore të Rinisë të Këlnit); pastaj Poloninë, atdhe i Gjon Palit II; Spanjën (tre shtegtime, një për Ditën Botërore të Rinisë); Turqinë, Austrinë, Francën, Republikën Çeke, Maltën, Portugalinë, Qipron, Mbretërinë e Bashkuar, Kroacinë dhe San Marinon.
Shtatë, shtegtimet e tij apostolike ndërkontinentale: në Brazil, SHBA, Meksikë, Kubë, Australi, Afrikë (Kamerun, Angola e Benin); Liban e Tokë Shenjte (Jordani, Izrael).

Tridhjetë, vizitat apostolike në Itali: në Bari (29 maj 2009, në përfundim të Kongresit XXIV Eukaristik Kombëtar); në Shenjtëroren e Fytyrës së Shenjtë të Manopelos (1 shtator 2006); Veronë (19 tetor 2006, për Takimin IV Kombëtar të Kishës italiane); Vigjevano e Pavi (21-22 prill 2007); Asizi (2 herë: 17 qershor 2007 per 800-vjetorin e Kthimit të Shën Françeskut dhe më 17 tetor 2011, për Ditën e reflektimit, dialogut dhe lutjes për paqen e drejtësinë në botë); Loreto (2 herë: më 1-2 shtator 2007, me rastin e takimit të të rinjve italianë; më 4 tetor 2012 në 50-vjetorin e shtegtimit të Gjonit XXIII); Veletri-Senji (23 shtator 2007); Napoli (21 tetor 2007); Savonë e Gjenovë (17-18 maj 2008); Santa Maria di Leuka e Brindizi (14-15 qershor 2008); Caliari (7 shtator 2008); Shenjtërorja Papnore e Pompeit (19 tetor 2008); zonat e dëmtuara nga tërmeti të Abruzeve (28 prill 2009); Casino e Montecasino (24 maj 2009); San Giovanni Rotondo (21 qershor 2009); Viterbo e Banjoregjo (6 shtator 2009); Bresha e Conçesio (8 nëntor 2009); Torino (2 maj 2010); Sulmona (4 korrik 2010); Karpineto Romano (5 shtator 2010); Palermo (3 tetor 2010); Akuileia e Venecia (7-8 maj 2011); San Marino-Montefeltro (19 qershor 2011); Ankona (11 shtator 2011 për përfundimin e Kongresit XXV Eukaristik Kombëtar); Lamecia Terme e Serra San Bruno (9 tetor 2011); Areco, La Verna e Sansepolkro (13 maj 2012); Milano (1-3 qershor 2012 per Takimin VII Botëror të Familjeve); në zonat e dëmtuara nga tërmeti të Emilia-Romanjës (26 qershor 2012).
Më 11 shkurt 2013, njoftimi për dorëheqjen nga shërbimi i tij në selinë e Pjetrit, gjatë Koncistorit për disa çështje shenjtërimi. Shkruhet në Kodin e së Drejtës Kanonike, në paragrafin e dytë, neni 332: “Në rast se Papa i Romës heq dorë nga detyra e tij, kërkohet, për vlefshmëri, që dorëheqja të bëhet lirisht e të shprehet siç i takon. Nuk kërkohet, ndërkaq, që ndokush ta pranojë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.