Më 11 shkurt 1929 themelimi i Shtet Qytetit të Vatikanit
Sot më 11 shkurt bie përvjetori i themelimit të Shtetit të Qytetit të Vatikanit që
përkon me paktet lateranense të 1929-tës. Këto pakte, gjithnjë aktuale, u nënshkruan
me qëllimin e renditjes së veprimtarisë, së bashku e veçmas, në shërbim të së mirës
së njeriut, për të arritur kështu në cakun e harmonisë shoqërore. 11 shkurti, përvjetori
i Pakteve Lateranense, mbetet një ngjarje e madhe, e cila më 1929 shënoi "fundin e
kundërvënies ndërmjet shtetit e Kishës. Një kundërvënie e tillë vijonte që nga koha
Lëvizjes për Bashkimin e Italisë në shekullin XIX, që i pati ndarë veçmas fatet e
fesë nga ato të atdheut. Këto dokumente i dhanë fund ndarjes së dhimbshme ndërmjet
qytetarit e besimtarit, duke krijuar mundësitë që besimtarët të marrin pjesë me të
drejtë të plotë qytetarie në jetën e vendit dhe të thonë fjalën e tyre si katolikë
në të gjitha fushat e jetës. Vlerat e 11 shkurtit ndikuan fuqimisht edhe për vënien
në dukje të rolit që luan Selia e Shenjtë në gjirin e bashkësisë ndërkombëtare, me
qëllim që të konkretizohet mesazhi, mbartës e zëdhënës i të cilit është vetë Kisha,
e cila në çdo vend e në çdo kohë ka si qëllim të mbështesë kauzën e njeriut. Konkordati
ndërmjet Italisë dhe Selisë së Shenjtë, njohje reciproke ndërmjet dy palëve, shikohet
si model për Evropën. Marrëveshja, tashmë e konsoliduar, ndërmjet Italisë dhe Selisë
së Shenjtë, me Konkordatin e rishikuar më 1984, në përkim me mësimet e Konçilit dhe
me pjekurinë demokratike të vendit, mund të bëhet një model i vërtetë për Evropën,
për të përcaktuar rregulla të qarta në marrëdhëniet ndërmjet dy realiteteve, mbi të
cilat bazohet bashkëjetesa e tyre. Kështu Kisha fitoi të drejtën e plotë për zhvillimin
e misionit të saj fetar dhe, në të njëjtën kohë, për të punuar në shërbim të paqes
dhe të progresit të popujve. Shteti e Kisha, duke shmangur çdo rrezik kundërvënieje,
bashkëpunojnë me sukses për njeriun dhe lartësimin e tij shpirtëror e material. Në
drejtpeshimin ndërmjet dy përkatësive qëndron edhe e fshehta e lirisë dhe e progresit
në kontinent. Ajo që ishte arritja e veçantë konkordatare, mund të bëhet referim i
qartë për Evropën që po ndërtohet.