2013-02-11 15:11:15

Imzot Mirdita përshëndet Benediktin XVI gjatë vizitës ad Limina 2008


Përshëndetja drejtuar Atit të Shenjtë Benediktit XVI nga kryeipeshkvi, imzot Rrok Mirdita gjatë audiencës së Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë me rastin e vizitës ad Limina më 22.05.20O8 në Vatikan

Atë i Shenjtë,
takimi ynë i sotëm me Ju, është rast që na gëzon pa masë të gjithëve. Në të vërtetë vizita jonë ad Limina ka një domethënie tepër të veçantë për ne të gjithë, për tri arsye kryesore: së pari, sepse ky është takimi i parë me Ju si episkopat shqiptar. Së dyti, sepse pas shembjes së komunizmit dhe rindërtimit të hierarkisë në Shqipëri, kjo është vizita e parë ad Limina, në të cilën është i pranishëm i gjithë episkopati shqiptar. E, së fundi, sepse këtë vit përkujtojmë pesëmbëdhjetë vjetorin e vizitës në Shqipëri të Paraardhësit tuaj, Shërbëtorit të Zotit, Papës Gjon Pali II, që me këtë rast shuguroi katër ipeshkvij, ndërmjet të cilëve isha edhe unë.
Gjatë këtyre pesëmbëdhjetë vjetëve, Kisha katolike në Shqipëri ka ecur shumë përpara në veprimtarinë për të ungjillëzuar, për të shenjtëruar e për t’i udhëhequr besimtarët në trojet tona. Kisha katolike në Shqipëri provoi një Kalvar të vërtetë. Toka shqiptare u vadit me gjakun e shumë dëshmitarëve të guximshëm të fesë gjatë regjimit që, sipas shprehjes së një historiografi, ‘deshi ta vriste Zotin’. Por ne patëm fatin ta shikojmë me sytë tanë atë mrekulli, që Tertuliani e shprehu në thënien e famshme e të pavdekshme: Sanguis martyrum est semen Christianorum”. (Gjaku i martirëve është fara e të krishterëve të rinj). E sot i jemi mirënjohës Zotit për procesin kanonik të lumnimit të martirëve shqiptarë, proces që nisi zyrtarisht më 10 nëntor 2002. Shenjtëri, ndërsa Ju siguroj për besnikërinë tonë ndaj Pasardhësit të Pjetrit, të cilit i takon misioni për të përforcuar vëllezërit në fe (Le 22, 323), në emër të sivëllezërve të mi ipeshkvij, dëshiroj t’ju shpreh edhe mirënjohjen tonë.
Ju falënderojmë Shenjtëri, për Enciklikën tuaj të parë ‘Deus Caritas est’. Shqipëria paskomunsite e preku me dorë bamirësinë e Kishës katolike, që dha një ndihmesë të shquar në situatat e ndryshme të emergjencës. Kjo Enciklikë na nxiti të reflektojmë thellë për kuptimin e bamirësisë së krishterë, e cila nuk është thjeshtë filantropi.
Ju falënderojmë, Shenjtëri, për Enciklikën tuaj të re, Spe salvi. Shqipëria ishte e indoktrinuar nga ideologjia marksiste-leniniste, që nuk krijoi shpresë, por dëshpërim. Sot Shqipëria po kërkon një rrugë tjetër, rrugë shprese për të gjithë, që nuk e shkëput njeriun nga impenjimi për ndërtimin e qytetit tokësor dhe të një bote më të denjë për të.
E, së fundi, ju falënderojmë Shenjtëri, për nismën Tuaj lidhur me Vitin kushtuar Shën Palit Apostull. Në Letrën drejtuar Romakëve, Apostulli i madh i popujve tregon se ka folur për Krishtin deri në kufijtë e Ilirisë (15, 19), dmth, deri në trojet e Shqipërisë së sotme. Prandaj Shën Pali lidhet në mënyrë të veçantë me popullin shqiptar e ju jemi posaçërisht mirënjohës, Juve, Atë i Shenjtë, sepse i krijuat popullit tonë mundësitë për ta njohur nga afër personalitetin, shenjtërinë dhe doktrinën e këtij apostulli i cili, sipas fjalëve të Akuinit “e kishte gjithnjë emrin e Krishtit në korpin e vet, në gjuhën e vet e në shkrimet e veta” (Prologo del Commentarium in Litteram ad Romanos) 1.
I jemi tepër mirënjohës Zotit, që na ka dhënë kënaqësi të mëdha. Jemi mirënjohës, në radhë të parë, për misionarët që, me flijime të mëdha e bujari të madhe, pranuan sfidën misionare në Shqipëri, gjatë këtyre tetëmbëdhjetë vjetëve pas rënies së komunizmit. E, mbi të gjitha, i shprehim mirënjohjen tonë të pakufishme Zotit, që na i bekoi përpjekjet me thirrje të reja meshtarake e rregulltare në vendin tonë.
Ndërsa kërkojmë bekimin tuaj, Ju sigurojmë se lutemi që Hyji t’ju japë shëndet, urti e shenjtëri për të vijuar shërbimin tuaj si pasardhës i Shën Pjetrit.







All the contents on this site are copyrighted ©.