2013-02-11 12:54:49

Dita e të sëmurit. Imzot Zimovski: në kujdesin për të sëmurët, t’i jepet rëndësi përmasës sakramentore


U kremtua sot në të gjithë botën Dita e të Sëmurit, pikërisht në festën e Zojës së Lurdës, Pajtores së të vuajturve e të sëmurëve. Kremtimi kryesor për Kishën Katolike qe në Bavari të Gjermanisë, në shenjtëroren e Altëting, vetëm 16 km larg nga shtëpia ku ka lindur Papa Racinger. Meshën e kryesoi i dërguari i Benediktit XVI, imzot Zigmunt Zimvoski, kryetar i Këshillit Papnor për Veprimtarët e Shëndetësisë. Në mesazhin e tij për këtë ditë, me temë “Shko e bëj edhe ti kështu”, Ati i Shenjtë propozon si model figurën e Samaritanit të Mirë, duke kujtuar se kujdesi i Kishës për të sëmurët fillon së pari, nga Sakramentet. Të dëgjojmë vetëm imzot Zigmunt Zimovskin, në mikrofonin tonë:
Ne kremtojmë Vitin e Fesë, prandaj duhet ta thellojmë fenë tonë përsa u përket Sakramenteve, që na afrojnë me Jezu Krishtin. Për të sëmurët, Sakramentet më të rëndësishme janë tre, siç nënvizon Ati i Shenjtë në mesazhin e tij: janë Sakramentet që shërojnë shpirtin, pra Pendimi, Vojimi i të sëmurëve e, veçanërisht, Eukaristia si shujtë shpirtërore. Ne duhet të kemi parasysh se kujdesi baritor për të sëmurët shprehet mbi të gjitha, në përmasën sakrametore.
Mesazhi i Papës për këtë vit, propozon tema mjaft konkrete, apo jo?
Çdo Ditë Botërore e të Sëmurit ka temën e vet. Këtë vit propozohet tema e Samaritanit të Mirë; çdo vit, temat janë shumë konkrete. Ju e dini se pas tre vjetësh do të shkojmë në Tokën Shenjte e atje, duam të përqendrohemi në besimin e Shën Marisë, në shembullin që dha, duke shkuar tek Shën Elizabeta për t’i shërbyer kësaj gruaje në moshë, që priste një fëmijë: ky është shërbimi. E Maria, siç thotë Papa në Mesazhin e tij, është e para, që na jep shembullin e Samaritanes së Mirë.
Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje në katër ditët, që udhëtuan në Gjermani?
Po i kthehem mesazhit të Benediktit XVI, në të cilin thuhet se Dita Botërore është rast i përshtatshëm për reflektim, lutje dhe afërsi me të sëmurët: këto tri përmasa. E ne kështu bëmë, në dy ditët e para në Ajhshtet, ku reflektuam mbi temën e Samaritanit të Mirë; u takuam edhe me të sëmurët në spitalin e qytetit e vizituam një shtëpi për të moshuarit. Në një atmosferë shumë prekëse, një rregulltare dhe një laike iu afruan të sëmurëve me ujin ebekuar e pastaj, ndezën qirinjtë, që kishim në dorë. Të gjithë u lutëm për nevojat e botës. Çdo i sëmurë, çdo i moshuar, madje, edhe ata që mezi flisnin, shprehën një dëshirë, një lutje. Nëna e një meshtari iu lut Zotit që i biri të jetë sa më i mirë për famullinë e vet, si Samaritani i Mirë. Të tjerë u lutën për të vdekurit… ishte vërtet prekëse. Ne si Kishë duhet ta hapim zemrën për të sëmurët, për të vuajturit, për njerëzit, që kanë nevojë për kujdesin tonë, për zemrën tonë…







All the contents on this site are copyrighted ©.