Skolastika, e lindur në Norcia të Italisë rreth vitit 480 – e vdekur në Pumarola
më 10 shkurt 546, qe motra e Shën Benediktit. Nga jeta e saj njihen vetëm pak ngjarje,
shkruar në “Librin e Dialogëve” të Shën Gregorit të Madh. Virgjër e urtë, vuri dashurinë
e krishterë e kundrimin e Fjalës së Zotit mbi institucionet njerëzore, gjë që e shprehu
edhe në bisedën e fundit me të vëllain, shën Benediktin, kur thesoi se me lutje mundi
të bënte më shumë, sepse kështu deshi më shumë”. Dihet me siguri se pak vjet para
se të vdiste, Skolastika banonte pranë Montecassinos, ku i vëllai drejtonte manastrinin
e famshëm, që edhe sot e kësaj dite sundon mbi kodrën me të njëjtin emër. Së bashku
me një grup vajzash, vendosi të ndiqte gjurmët e Benediktit, për t’i shërbyer Zotit
jo duke u larguar e duke u fshehur nga bota, por duke jetuar në bashkësi të mirë organizuar
e duke e kaluar kohën me lutje drejtuar Zotit, punë e studim. Ngriti, për këtë, një
manastir femëror jo shumë larg atij ku jetonte shën Benedikti me sivëllezërit e tij
murgarë dhe bëri kushtin e pastërtisë, duke ia kushtuar gjithë vetveten Zotit. Kështu
me Shën Skolastikën lindte monarkizmi femëror perëndimor. Në “Librin e Dialogëve”
të shën Gregorit të Madh gjejmë një faqe ku përshkruhet takimi i vëllait me të motrën.
Takoheshin vetëm një herë në vit. E Gregori na përshkruan takimin në Kohën e Kreshmëve
të vitit 542, jashtë manastireve të tyre, në një kasolle poshtë Montecasssionos. Eshtë
një bisedë që duket sikur nuk do të mbarojë kurrë, një shkëmbim mendimesh mbi shumë
e shumë gjëra, qiellore e tokësore.