2013-02-09 15:22:13

Kremtimi i Ditës Botërore të të Sëmurit


Gjithë Kisha Katolike përjeton këto ditë atmosferën e Ditës Botërore të të Sëmurit, që do të kremtohet të hënën, në festën liturgjike të Zojës së Lurdës. Një delegacion i Vatikanit, i kryesuar nga kryetari i Këshillit Papnor për Veprimtarët e Shëndetësisë, imzot Zigmunt Zimovski, ndodhet që sot në Gjermani, ku më 11 shkurt, në Altëting të Bavarisë, do të kremtohet solemnisht Dita e të Sëmurëve.
Imzot Zimovski kremtoi Meshën për të sëmurët në Mynih dhe vizitoi spitalin Groshadern. Nesër, pas meshës në kapelën e spitalit të Shvabing, delegacioni papnor do të takohet me përfaqësuesit e Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, që merren me baritorinë e shëndetit.
Gjithnjë, në këtë atmosferë, edhe në Indi, kremtohet nga 9 deri më 11 shkurt, 50-vjetori i shenjtërores së Zojës së Shëndetit, së bashku me 25-vjetorin e themelimit të Konferencës Ipeshkvnore të vendit. I dërguari i veçantë i Atit të Shenjtë në këto kremtime është Prefekti i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kardinali Fernando Filoni.







All the contents on this site are copyrighted ©.