2013-02-08 16:40:13

Vizita e delegacionit të Kazakistanit në Vatikan e dialogu ndërfetar.


Të martën e kaluar, në Vatikan arriti për vizitë një delegacion i Kazakistanit, për të përkujtuar dhjetëvjetorin e Kongresit I ndërfetar të Astanës, organizuar nga presidenti Nazarbajev. Udhëhiqej nga kryetari i Senatit, Kairat Mami.
Të mërkurën paradite delegacioni u takua me Atin e Shenjtë gjatë audiencës së përgjithshme. Sillte me vete mbresat e paharruara të shtegtimit apostolik të Gjon Palit II në këtë vend, në shtator të vitit 2002, shkruar në kujtesën e popullit të Kazakistanit. Ishte, kjo, një vizitë nën shenjën e dialogut e të paqes, pak ditë pas atentateve të 11 shtatorit në SHBA. Duke shfletuar faqet e historisë më të re të vendit, lexojmë një ngjarje tjetër të rëndësishme: audiencën, në të cilën Papa Benedikti XVI priti presidentin Nazarbajev, më 6 nëntor 2009.
Të mërkurën në mbrëmje, pranë Hotelit Kolumbus, gjatë një manifestimi me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të Kuries Romake, posaçërisht, kardinajve Sodano, Toran e Lajolo, si dhe të shumë përfaqësuesve të Trupit Diplomatik, u paraqit një ekspozitë fotografike, për të përkujtuar e për të dokumentuar veprimtarinë dhjetëvjeçare të Kongresit, me katër asambletë e tij, mbledhur deri më sot.
Në fjalimet e ndryshme, që u mbajtën nga kreu i delegacionit kazak, Dekani i Kolegjit kardinalor, kardinali Sodano e kryetari i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, kardinali Toran, u theksuan marrëdhëniet e mira ndërmjet Republikës së Kazakistanit e Selisë Apostolike gjatë viteve të fundit, shtegtimi historik i Papës Gjon Pali II në vendin aziatik e, pas tij, edhe vizitat e sekretarëve të Shtetit të Vatikanit kardinalit Sodano (2003) e kardinalit Bertone (2010) si dhe shtegtimi i kardinalit Anxhelo Sodano, shtatorin e kaluar, për shugurimin e katedrales së re të Karagandës.
Në Kazakistan, vend me shumicë myslimane, të krishterët arrijnë në 2% të popullsisë, por gjithsesi, gëzojnë më shumë liri fetare se në vendet e tjera aziatike. Pikërisht mbi gjendjen aktuale të kësaj lirie, bazë për të gjitha liritë e tjera, u fol shumë gjatë takimeve të delegacionit kazak në Vatikan.









All the contents on this site are copyrighted ©.