2013-02-08 18:02:53

Toka e Shenjtë: imzot Shomali kërkon ligjshmëri ndërkombëtare në dialogun izraelo-palestinez


“Vetëm ligjshmëria ndërkombëtare mund të jetë platforma e sigurtë dhe e qëndrueshme për bisedimet e ardhshme izraelo-palestineze”: këtë theksoi imzot Uiljam Shomali, mëkëmbës patriarkal i Jeruzalemit. Prelati foli në Tuluzë, duke paraqitur një konferencë me titull: “Dialogu ndërfetar dhe paqja në Tokën e Shenjtë: sfidat aktuale dhe perspektivat e së ardhmes”. Posaçërisht prelati vuri theksin mbi dritë-hijet e ballafaqimit ndërfetar në Tokën e Shenjtë, duke kujtuar, për shembull, aktet e vandalizmit, që u vërejtën kohët e fundit në disa vende të krishtera, por edhe myslimane e hebreje. Imzot Shomali kujtoi se këto akte u dënuan njëzëri nga ana e të gjithë besimtarëve. Ata i dënuam këto akte vandalizmi, shpjegoi prelati, dhe në vijim vuri gishtin në rrënjën e problemit, në edukimin me fanatizmin, që vërehet jo rrallë në bankat e shkollave. Në të njëjtin plan radhitet edhe studimi, botuar tri ditë më parë, mbi tekstet shkollore që do të përdoren nga nxënësit izraelitë e palestinezë. Rezultati i analizës, shpjegoi imzot Shomali, nuk është aspak i kënaqshëm, sepse doracakët e secilit popull e paraqesin në mënyrë krejt negative popullin tjetër, duke krijuar, kështu, një përfytyrim të shtrembër historik, për shkak të natyrës së njëanshme të rrëfimit. Gjithsesi, as shpresat nuk mungojnë. Të krishterët e myslimanët, pohoi mëkëmbësi patriakal i Jeruzalemit, kanë të përbashkët gjuhën, kulturën, vuajtjen. Sigurisht, vijoi, dialogu teologjik mbetet i vështirë, sepse nuk mund të dialogosh për Trininë, natyrën hyjnore të Krishtit apo për mishërimin e Zotit. Por ndërkaq të krishterë e myslimanë mund të thellohen në vlerat etike e fetare të përbashkëta, si bamirësia, drejtësia, shtegtimi dhe respekti për jetën. Më pas imzot Shomali pohoi se në shkollat e në strukturat e krishtera bëhen përpjekje për t’i edukuar të krishterët e myslimanët të jetojnë së bashku, duke respektuar njëri-tjetrin e duke bashkëjetuar paqësisht, sepse dialogu nuk duhet kufizuar vetëm në sferat intelektuale, por duhet t’i mbulojë të gjitha mjediset e shoqërisë. Duke prekur nga pak pikat e ndryshme kritike të jetës, prelati vuri theksin mbi njërën prej tyre, njohjen e lirisë së ndërgjegjes nga ana Islamit. Përndryshe dialogu islamo-kristian mbetet pa fryt, bëhet sa për t’u dukur, në sa nuk diskutohet për rrugëzgjidhjen e problemeve reale, si ai i lirisë së ndërgjegjes dhe i barazisë së të gjithë qytetarëve. Përsa i përket ballafaqimit ndërmjet të krishterëve e hebrenjve, prelati pohoi se duhet lehtësuar, duke u nisur nga pikat e përbashkëta, si Bibla, Psalmet, vlerat etike të dinjitetit të njeriut e të jetës. Duke kujtuar, pastaj, hapat e para, që janë bërë falë dokumentit konciliar “Nostra Ætate” apo deklaratës kushtuar marrëdhënieve dypalëshe të përhershme ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shtetit të Izraelit, imzot Shomali vërejti se në jetën e përditshme marrëdhëniet e të krishterëve me hebrenjtë janë shumë të mira, ndërsa situata politike hedh hije mbi këto marrëdhënie dhe e pengon dialogun e thellë e të frytshëm. Prej këndej, urimi që bashkësia ndërkombëtare të japë ndihmesën e vet në bisedimet e mëtejshme.












All the contents on this site are copyrighted ©.