2013-02-08 16:34:29

Papa në Seminarin e Madh Romak për festën e Zojës së Besimit


Festa e Zojës së Besimit është korniza e vizitës së sotme të Papës Benedikti XVI në Seminarin e Madh Romak, ku Ati i Shenjtë shkon çdo vit për të mbajtur një “Lectio divina”. Do të jenë të pranishëm, 190 seminaristë dhe profesorët e tyre, të cilët do të dëgjojnë reflektimin e Papës mbi thirrjet meshtarake, argument, që e ka trajtuar edhe në vizitat e mëparshme. Kësaj radhe, leximi biblik, nga i cili frymëzohet Benedikti XVI për leksionin e tij, është marrë nga Letra e parë e Shën Pjetrit, kapitulli i parë, ku flitet për shpresën jetësore.
“Jeta e krishterë fillon me një thirrje e mbetet gjithmonë përgjigje, deri në fund”: kështu u thoshte Papa seminaristëve romakë, para disa vjetësh. Krishti zgjedh e pastaj, pret që i thirruri t’i përgjigjet pozitivisht e jo vetëm për një çast, por për çdo çast të jetës së vet. Nëse kjo vlen për gjithë të krishterët, aq më shumë bëhet e rëndësishme për meshtarët. Prandaj, gjatë viteve të fundit, Benedikti XVI ka vënë theksin mbi të gjitha ato virtyte, që e bëjnë meshtarin, ndjekës të vërtetë të Jezu Krishtit, por edhe mbi tundimet, që mund ta largojnë atë nga udha e Kishës. Për shembull, në kohën e Shën Palit Apostull, vërehej një lloj mendjemadhësie intelektuale:
“Shikoni se edhe sot ekzistojnë gjëra të ngjashme, aty ku, në vend që të bashkohet me Krishtin, në Korpin e Krishtit, që është Kisha, secili dëshiron të jetë superior ndaj tjetrit dhe me arrogancë intelektuale pretendon se është më i miri. Kështu lindin polemikat shkatërrimtare: kjo është karikatura e Kishës, që duhet të jetë një shpirt e një zemër e vetme” (Seminari i Madh Romak, 20 shkurt 2009).
E një figurë tjetër – por më mirë të thuhet “një figurant tjetër” – ndër ata, që e karikaturizojnë jetën e Kishës, është i ashtuquajturi “prift në karrierë”, kritikuar ashpër nga Papa, në një nga takimet e tij të para me seminaristët, në vitin 2007:
“Por Zoti e di, e dinte që në fillim se në Kishë ka edhe mëkat e, edhe ne duhet ta pranojmë këtë me përvuajtëri e ta shohim këtë mëkat jo vetëm ndër të tjerët, ndër strukturat, ndër hierarkët e lartë, por edhe brenda nesh. Prandaj, duhet ta ulim kokën e të mësojmë se nuk ka rëndësi të gjunjëzohemi para Zotit, por ka rëndësi të jetojmë në dashurinë e Tij e ta bëjmë atë të rrezatojë” (Seminari i Madh Romak, 17 shkurt 2007).
Në një rast tjetër, duke shpjeguar se krishterimi nuk është “moralizëm” i thjeshtë, Papa u jep meshtarëve të ardhshëm një leksion të vogël e delikat mbi lutjen:
“Atyna na mëson: mund të lutemi për shumë gjëra e sa herë kemi nevojë mund të thërrasim ‘ndihmë!’. Kjo është njerëzore dhe Zoti është njerëzor, prandaj me të drejtë, e lusim Zotin edhe për gjërat e vogla të përditshme të jetës. Por, njëkohësisht, lutja është udhë, madje do të thosha, shkallë: duhet të mësojmë gjithnjë e më shumë të lutemi për ato gjëra, që nuk janë shprehje e egoizmit tonë” (Seminari i Madh Romak, 12 shkurt 2010).
E Benedikti XVI nuk harron t’u kujtojë seminaristëve se Jezusi nuk pyet për frikën e një shoqërie, si kjo e sotmja, e cila mendon se kush ia kushton jetën Zotit, e humbet atë:
“Vërtet, megjithëse mund të duket se jeta e meshtarit nuk i intereson shumicës së njerëzve, ajo është aventura më interesante e më e nevojshme për botën, sepse tregon ç’është begatia e jetës, që e synojnë të gjithë. Është aventurë shumë kërkuese e, nuk mund të jetë ndryshe, sepse meshtari është i thirrur të imitojë Jezusin, që nuk erdhi për t’u shërbyer, por për të shërbyer e për të dhënë jetën e vet në shpërblim të shumë vetëve” (Seminari i Madh Romak, 1 shkurt 2008).







All the contents on this site are copyrighted ©.