2013-02-08 16:34:53

Benedikti XVI për 50-vjetorin e Traktatit franko-gjerman: të mos minohen sfidat e reja me interesa dritëshkurtra


“Ligji moral e natyror, vlerat dhe të drejtat njerëzore, të mbruajtura nga Ungjilli, përbëjnë themelet e një politike, që vihet vërtet në shërbim të drejtësisë e të paqes, si dhe të progresit të mbarë familjes njerëzore” - këtë pohon Benedikti XVI në një mesazh, dërguar në emër të tij nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, me rastin e Konferencës, mbajtur dje në Universitetin Papnor Gregorian. Titullohej: “Pesëdhjetë vjet miqësi franko-gjermane, në shërbim të Evropës: është Bashkimi Evropian model për të tjerët?”. Në mesazh nënvizohet se arsyet, që çuan në këtë marrëveshje, duhen rigjallëruar e risuar vazhdimisht, në mënyrë që ç’u arrit së bashku, të mos minohet nga sfida të reja e nga interesa dritëshkurtra të veçanta e, posaçërisht, të mos të arrijë puna deri në atë pikë, sa edhe të braktiset fare.
Në tekstin, lexuar nga kryeipeshkvi Dominik Mambertí, sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij për marrëdhëniet me Shtetet, kujtohet impenjimi personal i etërve të Traktatit, Sharl de Gol e Konrad Adenauer. Ende pa u nënshkruar marrëveshja, nënvizohet më pas në mesazh, dy protagonistët e mëdhenj të Evropës së pasluftës, me pjesëmarrjen e tyre në Meshën e Pajtimit, në katedralen e Reimsit, vunë në dukje, me forcë, se politika bazohet mbi disa parime, të cilat nuk mund të përcaktohen plotësisht prej saj. Kujtohet edhe se duhet ushqyer pa pushim flaka e shpresës, sepse paqja është detyrë e pandërprerë, që vijon pambarimisht në kohë.
Në takimin, organizuar nga Ambasada e Francës dhe e Republikës Gjermane pranë Selisë së Shenjtë me rastin e përvjetorit të Traktatit të Elizeut (1962), morën pjesë, përveç ambasadorëve Jubert e Shvepe, edhe personalitete shtetërore nga të dy vendet. Takimin e drejtoi rektori i madh i Universitetit Papnor, jezuiti Fransua- Zhaviè Dumortje.








All the contents on this site are copyrighted ©.