2013-02-07 14:44:54

Papa: mos e banalizoni botën e të rinjve. Kisha ka besim të madh në ta


Nuk ekziston një “kulturë rinore” e vetme, por një realitet mjaft i ndërlikuar, të cilin Kisha dëshiron ta njohë më mirë, pasi ka besim të madh tek të rinjtë e ka nevojë për gjallërinë e tyre. Ky është thelbi i fjalëve, që u tha Papa Benedikti XVI sot paradite, pjesëmarrësve të asamblesë së përgjithshme të Këshillit Papnor të Kulturës, të cilët i priti në audiencë. Kjo asamble këtë vit i kushtohej pikërisht “kulturave të reja rinore” në kohën e globalizimit e të internetit. Ati i Shenjtë ftoi të mos shihen të rinjtë me këndvështrimin e paragjykimeve të zakonshme.
Sipas Papës, të rinjtë e sotëm nuk jetojnë në një “univers” të vetëm, por në një lloj “multiuniversi”, pra, në një hapësirë e kohë, ku bashkëjetojnë shumë këndvështrime, perspektiva e strategji. Kisha dëshiron të kuptojë aspektet pozitive dhe negative të kësaj gjithësie rinore shumëpërmasore, të gjuhës së tyre tepër të shpejtë, falë përhapjes së internetit e të rrjeteve shoqërore. Benedikti XVI vuri në dukje se krahas mundësive më të mëdha, që i kanë bërë të rinjtë ekspertë të teknologjive, vërehen mungesa e vështirësi në botën e tyre psikologjike, në marrëdhëniet shoqërore, që shpesh e çojnë të riun drejt mënjanimit, e bëjnë të “padukshëm” për historinë e kulturën e kohës. Nganjëherë, nënvizoi Papa, zgjidhja e këtyre problemeve kërkohet në rrugën e drogës e të dhunës:
“Sfera emocionale, ndjenjat, ashtu si edhe përdorimi i trupit, ndikohen fuqimisht nga kjo atmosferë e nga klima kulturore që rrjedh prej saj, e që shprehet, për shembull, nga fenomene kontradiktore në dukje, si spektakolarizimi i jetës intime e personale dhe mbyllja individualiste e narciziste në vetvete, në nevojat e interesat vetjake. Edhe përmasa fetare, përvoja e fesë dhe përkatësia në Kishë, shpesh, jetohen në perspektivën private dhe emotive”.
Nga ana tjetër, Papa vuri në dukje edhe bujarinë e guximin e shumë të rinjve vullnetarë, që impenjohen për të shëruar plagët e shoqërisë së tyre. E nuk harroi gjendjen e të rinjve të së ashtuquajturës “Botë e Tretë”:
“E kuptojmë fort mirë se ata përfaqësojnë, me kulturat dhe nevojat e tyre, një sfidë për shoqëritë e konsumizmit të globalizuar, për kulturën e privilegjeve të konsoliduara, nga të cilat përfiton një rreth i ngushtë i popullsisë së botës perëndimore. Si pasojë, kulturat rinore bëhen “të reja” edhe sepse shfaqin një nevojë të thellë, një kërkesë për ndihmë e madje, edhe një “provokim”, që nuk mund të injorohet e të lihet mënjanë, si nga shoqëria civile, ashtu edhe nga bashkësia kishtare”.
Pavarësisht nga problemet e botës rinore, që kanë të bëjnë edhe me fenë e me pjesëmarrjen e të rinjve në jetën e Kishës, Benedikti XVI, në fund të fjalës së tij, përqafoi me dashuri e vlerësim të gjithë të rinjtë e globit:
“Kisha ka besim tek të rinjtë, shpreson në ta e në energjitë e tyre, ka nevojë për ta e për gjallërinë e tyre, që të vazhdojë të jetojë me hov të përtërirë misionin e besuar nga Krishti. Uroj me gjithë zemër, pra, që Viti i Fesë të jetë, edhe për brezat e rinj, rast i çmuar për të gjetur e forcuar miqësinë me Krishtin, nga e cila duhet të lindë gëzimi dhe entuziazmi për t’i shndërruar thellësisht kulturat e shoqëritë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.