2013-02-07 15:37:17

Nga veprimtaritë e një dite të Kishës në botë


Vatikan: Vijon vizita ‘ad Limina’ e ipeshkvijve italianë. Sot me Papën u takuan ipeshkvijtë e Lacios, pas vizitës së prelatëve të Romës, më 10 janar. Ipeshkvijtë e Lacios i shoqëronte edhe Ipeshkvi ushtarak i Italisë, imzot Vinçenco Pelvi.

Romë: Dita e dytë e Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit Papnor të Kulturës, me temë “Kulturat rinore bashkëkohore”, që u hap me një seancë në Universitetin LUMSA, pasuruar me një koncert muzike rok.
Vazhdon, me dyer të mbyllura, deri më 9 shkurt. Ngjarja, me frymë ndërkombëtare, u paraqit të enjten në Vatikan, nga kryetari i dikasterit për kulturën, kardinali Xhanfranko Ravazi. Temat kryesore të Asamblesë janë: Kisha ka nevojë t’i dëgjojë të rinjtë, të mësojë gjuhën e tyre për t’u transmetuar vlerat e vërteta e për t’u hapur udhën e takimit me Krishtin. Duhet edhe të punojë për të zbuluar shkaqet e ndërprerjes së dialogut të botës të të rriturve me të rinjtë. Atyre u duhet krijuar më tepër hapësirë në Kishë, sepse ka shumë rëndësi që Kisha të hyjë në kulturën dixhitale bashkëkohore.
Dita e sotme, shumë e pasur me veprimtari, filloi me Meshën Shenjte në Kishën e Shën Marisë në Traspontinë e përfundoi me lutjen e mbrëmjes. Ndërmjet dy veprimtarive, shumë diskutime, kryesisht lidhur me të lindurit në botën dixhitale, dhe vizita në Pallatin Apostolik. I pranishëm edhe jezuiti, Atë Antonio Spadaro, drejtor i revistës së etërve jezuitë, “Qytetërimi katolik”.

Gjermani: Pranë universitetit katolik të Eishtat-Ingolshtdt sot u mbajt takimi shkencor ndërkombëtar me temë: “Të ndihmohet njeriu, që vuan”, organizuar nga Këshilli Papnor për punonjësit e shëndetësisë, në perspektivë të Ditës botërore të të sëmurit, që do të kremtohet më 11 shkurt, në festën liturgjike të Zojës Lurdë. Punimet i kryesoi kryetari i dikasterit vatikanas, imzot Zimovski, së bashku me ipeshkvin vendas, imzot Hanke, ndërsa punimet i hapi profesor Shenk, drejtor i shkollës së lartë katolike. Takimi përfundoi me një mesazh për të sëmurët, të moshuarit, nevojtarët dhe punonjësit e shëndetësisë. Kardinali Marks, kryeipeshkëv i Munih-Frisingës dhe kancelar i madh i universitetit, mbajti fjalimin e mbylljes së veprimtarisë. Të pranishmit vizituan edhe spitalin e Eishtatit si dhe Shtëpinë e Shën Elizabetës, drejtuar nga Karitasi vendas.

Kubë: Këshilli Provincial i Administratës të provincës së Santiagos, në Kubë, vendosi t’ia kthejë kryedioqezës dy kisha e një shtëpi famullitare, që i përkisnin. Dha edhe autorizimin për ndërtimin e një Kishe të re, në përkujtim të vizitës së Benediktit XVI, marsin e kaluar. Pronat në fjalë qenë konfiskuar në fillim të viteve ’60.
“Falënderojmë Zotin dhe të gjithë ata, që na ndihmuan për këtë arritje, në dobi të mbarë bashkësisë”- lexohet në një notë, përmes së cilës njoftohet se do të rindërtohen edhe ngrehina të tjera fetare, si Kisha e Shën Jozefit, e shndërruar nga revolucioni në Akademi Shkencash dhe Kisha e Zojës së dashurisë së krishterë, kthyer në shkollë fillore.

Pakistan: U arrestua sot nga policia e Kasurit, në provincën e Penxhabit, Shabir Ali, një nga dy myslimanët e akuzuar për dhunimin dhe rrahjen e 15 vjeçares katolike Fouzia Bibi. Tjetri vijon të ndiqet. Për bashkësinë katolike ky është një hap para në zbatimin e drejtësisë. Flitet se së shpejti do të pasohet nga hapi i dytë, procesi gjyqësor dhe dënimi i fajtorit. Shpresohet se tani e tutje rastet e dhunimeve, rrëmbimeve, kthimeve me forcë në fenë islame, shpërdorimit të ligjit mbi blasfeminë, që trondisin pambarimisht jetën e bashkësive jo myslimane në Pakistan, do të marrin fund një herë e mirë e të krishterët nuk do të shikohen më me përbuzje, si nënshtetas të klasit të tretë.

Romë: Pranë Universitetit Papnor Gregorian u mbajt sot takimi me temë: “Pesëdhjetë vjet miqësi franko-gjermane, në shërbim të Evropës”. Në takim, organizuar nga Ambasada e Francës dhe e Republikës Gjermane pranë Selisë së Shenjtë me rastin e përvjetorit të Traktatit të Elizeut (1962), morën pjesë, përveç ambasadorëve Jubert e Shvepe, edhe personalitete shtetërore nga të dy vendet. Takimin e drejtoi rektori i madh i Universitetit Papnor, jezuiti Fransua- Zhaviè Dumortje.

Meksikë: Vdiq në spital meshtari meksikan, atë José Flores Preciado, pas rrahjes për vdekje nga disa të panjohur, në Kishën e Krishtit Mbret, ku rrëfente e kremtonte Meshën Shenjte ditë për ditë. Sot, Mesha e dritës.
Atë José, 84 vjeç, ishte njeri shumë i qetë, profesor i latinishtes në seminare të ndryshme e rrëfyes i njohur. Me sa duket është viktimë e njerëzve, që kishin hyrë në kishë për të vjedhur. Por rasti i tij flet vetë për pasigurinë e vazhdueshme, në cilën jetojnë meshtarët në Meksikë, ku gjatë viteve 2012 u vranë edhe dy klerikë të tjerë.


Romë: Pranë qendrës Rusia ekumenike, sot u paraqit libri kushtuar imzot Elias Shakur, shkruar nga Patricia Grigs, titulluar “Historia e Elias Shakur. Një njeri tjetër i Galilesë”. Prelati, që njihet si veprimtar i madh i paqes ndërmjet Izraelit e Palestinës, i pranishëm në takim, foli thellësisht i emocionuar për librin e, sidomos, për jetën e tij në shërbim të paqes në Lindjen e Mesme.

SHBA: “Çdo ditë në kongregatat e në bashkësitë tona shikojmë pasojat e sistemit, që ndikon mbi ndarjen e familjeve, mbi shfrytëzimin, shpërdorimin e deri vdekjen e emigrantëve. Këto vuajtje duhet të marrin fund, pohojnë liderët e konfesioneve kryesore të krishtera të SHBA-së, në një deklaratë, botuar në përfundim të takimit vjetor të Christian Churches Together (Cct). Përmes një note, dërguar agjencisë Fides nga Konferenca ipeshkvnore e SHBA-së, njoftohet se imzot Joe S. Vasquez, ipeshkëv i Austin (Teksas) organizoi një takim katër ditor, gjatë të cilit u dëgjuan shumë emigrantë specialistë në problemet e emigracionit. Deklarata e barinjve të krishterë arrin në çastin kulmor të debatit politik lidhur me reformimin e ligjit mbi emigracionin. Prelatët deklarojnë se marrin pjesë gjallërisht në këtë debat, si ndjekës të Jezus Krishtit, që i urdhëron ta mikpresin të huajin”.


Romë: Sot Bashkësia e Shën Egjidit u mblodh në bazilikën e Lateranit për të kremtuar 45-vjetorin e takimit të parë në Kishën e Re, me një liturgji, kryesuar nga imzot Vinçenco Palia, kryetar i Këshillit Papnor për Familjen. Të pranishëm, të varfër, priftërinj të Romës e të botës, ipeshkvij e kardinaj, lider ekumenikë, ambasadorë dhe përfaqësues institucionesh nga Italia e vende të tjera të të pesë kontinenteve.
Bashkësia e Shën Egjidit, lindur në Romë në shkurt të vitit 1968, numëron sot mbi 60 mijë anëtarë, të gjithë vullnetarë, që punojnë në 73 vende të botës.

Muzetë e Vatikanit: U mbajt sot, në Muzetë e Vatikanit, konferenca shkencore me temë: “Një familje e madhe aristokratike romake, ndërmjet Azisë së Vogël, Sicilisë e Romës; (Shek V pas Krishtit), dëshmia e një epigrafi, ruajtur në Muzetë e Vatikanit”. Mbledhjen, në të cilën ishin të pranishëm personalitete të arkeologjisë, kulturës e artit, e kryesoi drejtori i Muzeve Vatikanase, Antonio Pauluçi. Referatin kryesor e mbajti profesori i historisë romake pranë Universitetit të Sorbonës, në Paris, Fransua Shauson, i cili arriti ta rindërtojë tekstin e epigrafit vatikanas, duke saktësuar onomastikën e plotë të gruas e, sidomos, duke rindërtuar lidhjet farefisnore të saj me botën elitare greko-romake. Kemi të bëjmë, prandaj, me një fitore shkencore lidhur me një dokument deri tani pak të njohur, por të denjë për vëmendje edhe për publikun në përgjithësi, sidmos për njohësit dhe admiruesit e lashtësisë.

Romë: U mblodh sot në Ergif Palace Hotel, Këshilli i përgjithëm i Lëvizjes së krishterë të punëtorëve, me pjesëmarjen e jashtëzakonshme të kryetarit të Konferencës ipeshkvnore italiane, kardinalit Anxhelo Banjasko.







All the contents on this site are copyrighted ©.