Më 7 shkurt kujtojmë Mati Logorecin në 72-vjetorin e vdekjes
Si sot, më 7 shkurt 1941 mbylli sytë Mati Logoreci, gjuhëtar, historian, pedagog,
mësues, patriot i flaktë, veprimtar i Rilindjes, nismëtar për hapjen e shkollës së
parë shqipe në Prizren, një nga pionierët e arsimit shqiptar. Mati Logoreci lindi
në Shkodër më 10 shkurt 1867. Në moshë të re punoi si shegert në shoqërinë tregtare
të familjes së vjetër shkodrane Parruca, emigruar prej kohe në Itali, që e dërgoi
si llogaritar në Trieste. Atje, krahas punës, kreu edhe shkollën për mësues. Si u
diploma, u kthye menjëherë në Shqipëri. Veprimtarinë pedagogjike e nisi më 1 maj 1889,
duke hapur një shkollë në Prizren. Më 1899 hapi një shkollë të dytë, e cila më pas
u shkri me të parën. Shërbeu si mësues në Prizren deri më 1903, kur u transferua në
shkollën françeskane në Shkodër, duke u bërë një nga mësuesit më të dashur për brezninë
e re të fretërve, që përgatitej në bankat e kësaj shkolle. Në vitin 1907 botoi
në Trieste fletoren "Dashamiri"; më 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues
i shoqërisë ‘Agimi’, së bashku me dom Ndre Mjedën e, po këtë vit, së bashku me Imzot
Lazër Mjedën, hapi një shkollë nate në Shkodër. Njihet si autori i veprave: "Të ndodhmet
e historisë së moçme"; “Historia e përgjithshme”; "Abetar", "Plotësimi i Abetarit";
"Fjalor i librit të leximit për moshën e njomë"; "Libri i mësuesit" etj. Pas pavarësisë
shërbeu si mësues në Tiranë dhe si nëpunës i arsimit në Shkodër. Më 1916 qe anëtar
i ‘Komisisë Letrare Shqype’ themeluar në Shkodër. Mori pjesë edhe në ngjarje të tjera
historike, si Kongresi i Lushnjës (1920), por kryesisht iu kushtua zhvillimit të arsimit. Mati
Logoreci vdiq më 7 shkurt 1941 në Tiranë.