Benedikti XVI, Vëllazërisë së Shën Karlit: frymëzohuni gjithnjë më shumë nga dashuria
për Krishtin.
“Vëllazëria juaj është e madhe: shenjë e thirrjeve të shumta” - ishin fjalët e para
të Papës, në sa takohej dje, në Vatikan, në përfundim të audiencës së përgjithshme,
me anëtarët e Vëllazërisë së Shën Karl Borromeut. Është fjala për një shoqëri jete
apostolike, lindur nga karizma e lëvizjes Bashkim e Çlirim. U themelua më 1985 nga
imzot Masimo Kamisaska, ish-drejtues i Lëvizjes, para se të shugurohej meshtar. Në
takim ishin të pranishëm drejtuesit e Bashkim e Çlirim, kryesuar nga don Julian Carrón
dhe 18 meshtarë, ardhur nga misionet në kontinente të ndryshme. Duke folur miqësisht,
pa tekst, Benedikti XVI kujtoi në fillim, takimet me don Luigji Gjusanin, themelues
i Lëvizjes: “E kam njohur besimin, gëzimin, forcën, pasurinë e ideve, frymën krijuese
të fesë së tij. Lidhëm një miqësi të vërtetë e kështu, përmes tij, njoha më mirë edhe
bashkësinë “Bashkim e Çlirim”. Benedikti XVI shprehu admirim edhe për imzot Kamisaskën:
“Fryma krijuese e artit tuaj, nuk më është e panjohur. Ashtu edhe aftësia për t’i
parë e për t’i shpjeguar shenjat e kohës, dhuratë e madhe për një edukator e meshtar”,
i tha Papa prelatit. Më pas Ati i Shenjtë kujtoi shpirtin e Shën Karl Borromeut,
që e frymëzon këtë Vëllazëri: “Ai mbeti gjithnjë model i bariut, që nxitet nga dashuria
e Krishtit, kërkon të vegjlit, i do e kështu, krijon fe të vërtetë e rrit bijtë e
Kishës”. Në përfundim Benedikti XVI falënderoi Zotin për dhuratën e Vëllazërisë
së Shën Karlit, duke uruar që të frymëzohet gjithnjë më shumë nga dashuria e Krishtit
e nga dashuria e njerëzve për Jezusin. “Zoti ju shoqëroftë në çdo hap” - ishin fjalët,
me të cilat Papa e përfundoi këtë takim të përzemërt.