2013-02-06 17:25:01

Takim në Gregoriana, kushtuar temës së shpërdorimeve, fenomen në rënie.


Një vit pas simpoziumit ndërkombëtar për shpërdorimet e kryera mbi të miturit nga anëtarë të klerit, mbajtur në Universitetin Papnor Gregorian, Kisha e mban fjalën e dhënë, duke vijuar udhën, hapur nga Papa Benedikti XVI, për shërimin e kësaj plage dhe përtëritjen e saj. Dje filloi takimi i ri pranë Universitetit romak, për të paraqitur Aktet e simpoziumit si dhe veprimtaritë e para të Qendrës për Mbrojtjen e të Miturve, miratuar vitin e kaluar. Ndërmjet pjesëmarrësve, ishte edhe don Robert V. Oliver, që nga dhjetori i kaluar, promotor i Drejtësisë pranë Kongregatës për Doktrinën e Fesë.
E ishte pikërisht kjo Kongregatë që foli, duke u mbështetur konkretisht mbi disa shifra: çdo vit dalin në dritë 600 raste të reja shpërdorimesh. Por ky numër shqetësues, është gjithnjë në rënie. Në lidhje me 800 rastet e vitit ’94, Don Oliver sqaroi se pas përpjekjeve të 112 Konferencave ipeshkvore në mbarë botën, nisën të duken edhe rezultatet e para pozitive. Megjithatë mbeten ende një mori problemesh e pengesash të tipit kulturor, në përpjekjen për të hartuar një vijë udhëheqëse të njëzëshme, siç theksoi edhe atë Hans Zoller, kryetar i Komitetit Drejtues të Qendrës për Mbrojtjen e të Miturve.Projekti i formimit në distancë i kësaj Qendre, me seli në Munih, është përqendruar mbi vendet, në të cilat perceptimi i fenomenit është ende i ulët, por në tre vitet e ardhshme mendon të përfshijë në këtë veprimtari një numër në rritje dioqezash, në të pesë kontinentet. Atë Zoller shprehu shqetësimin e tij sidomos për reflektimin e paktë teologjik rreth kësaj drame në vitet e fundit, pa harruar të kujtojë udhën e sinqertë në të cilën po ecën Kisha drejt përtëritjes dhe vendosmërinë e saj për të pëballuar si gabimet e klerikëve, ashtu edhe kujdesin për viktimat.







All the contents on this site are copyrighted ©.