2013-02-06 14:38:10

Sot, në Vatikan, një delegacion i Kazakistanit, në frymën e dialogut ndërfetar.


Sot, në Vatikan, ishte për vizitë një delegacion i Kazakistanit. Rasti: përkujtimi i dhjetëvjetorit të Kongresit I ndërfetar të Astanës, organizuar nga presidenti i Kazakistanit, Nazarbajev.
Paradite delegacioni u takua me Atin e Shenjtë gjatë audiencës së përgjithshme. Sillte me vete mbresat e paharruara të shtegtimit apostolik të Gjon Palit II në këtë vend, në shtator të vitit 2002, shkruar në kujtesën e popullit të Kazakistanit. Ishte, kjo, një vizitë nën shenjën e dialogut e të paqes, pak ditë pas atentateve të 11 shtatorit në SHBA. Duke shfletuar faqet e historisë më të re të vendit, lexojmë një ngjarje tjetër të rëndësishme: audiencën, në të cilën Papa Benedikti XVI priti presidentin Nazarbajev, më 6 nëntor 2009.
Në Kazakistan, vend me shumicë myslimane, të krishterët arrijnë në 2% të popullsisë, por gjithsesi, gëzojnë më shumë liri fetare se në vendet e tjera aziatike. Pikërisht mbi gjendjen aktuale të kësaj lirie, bazë për të gjitha liritë e tjera, flet, në mikrofonin tonë, imzot Khaled Akasheh, anëtar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar:

Përgjigje: - Lidhur me temën e lirisë fetare duhen theksuar prirje shumë pozitive, për shembull, lëshimi i trojeve për ndërtimin e kishave, ndërtimi i vendeve të kultit për bashkësitë e ndryshme fetare, dhënia, pa vështirësi, e vizave për personelin fetar, lëvizja e lirë brenda vendit për priftërinjtë dhe ipeshkvijtë. E theksojmë këtë, sepse, siç e dimë, në vende të tjera kjo lëvizje është e kufizuar. Por nuk mungojnë as problemet, si ai i vënies së shenjës të barazimit ndërmjet kombësisë e fesë. Mendohet se të gjithë polakët janë katolikë, të gjithë gjermanët, protestantë, të gjithë kazakët, myslimanë…. Po kjo nuk përkon fare me të vërtetën e, natyrisht, as me lirinë fetare, nënkuptuar edhe si liri a mundësi për të ndërruar fenë.

Pyetje: - E për dialogun ndërfetar, ç’mund të na thoni?

Përgjigje: - Kazakistani është i vetmi vend në Azinë qëndrore, që merr nisma me këto përmasa, si Kongresi ndërfetar, që tashmë ka arritur në edicionin e katërt, me pjesëmarrje të delegacioneve nga vende të ndryshme, me qindra vetë. Kjo platformë takimi ndërmjet prijësve fetarë në një zonë të rëndësishme, e aspak të lehtë nga pikëpamja fetare dhe ajo e sigurisë, është një pikë në favor të tyre.

Kujtojmë se pas takimit me Papën, paradite, pasdite delegacioni kazak mori pjesë në një takim pranë Këshillit Papnor për Dialogun ndërfetar. Takimi pëfundoi me darkën miqësore, organizuar nga ambasada e Kazakistanit pranë Selisë Apostolike.







All the contents on this site are copyrighted ©.