Thesaret e Trashëgimisë Kulturore Shqiptare në Torino
Thesaret e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë kanë pushtuar mediat italiane. Ekspozita
mbi tesare historike e kultyrore dërguar nga Tirana në Itali me rastin e 100-vjetorit
të Pavarësisë, së pari në Romë e tani në Torino, ka tërhequr vëmendjen e shtypit prestigjiozë
që informon publikun italian si "La Stampa", "La Repubblica" e "Sky News". Pas paraqitjes
në "Vittoriano" në qendër të Romës, ekspozita "Thesaret e Trashëgimisë Kulturore
Shqiptare", e organizuar me rastin e njëqind vjetorit të Pavarësisë nga Ministria
e Jashtme dhe ajo e Kulturës e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ambasadën shqiptare në
Romë dhe ministritë homologe të vendeve fqinje, është hapur në 24 Janar 2013-të është
hapur në Torino. Sipas kuratorit të saj, drejtorit të Institutit të Monumenteve të
Kulturës, z. Apollon Baçe, ekspozita është e veçantë pasi përbën një risi në llojin
dhe përmasat e saj, një herë të parë në historinë e Shtetit Shqiptar. Në Torino, thesaret
shqiptare janë ekspozuar në mjediset sugjestive të Muzeut të Artit Antik në Palazzo
Madama, godinë historike në qendër të qytetit, dikur kështjellë mesjetare pjesë e
pallatit mbretëror të dinastisë Savoja. Objektet e trashëgimisë shqiptare i ofrojnë
publikut artdashës torinez një udhëtim emocionues e plot njohuri në kohë dhe hapësirë,
që nis më epokën parahistorike dhe përfundon më mesjetën e vonë. Ato vijnë në kryeqendrën
subalpine në një përmbledhje të rrallë, ku bëjnë pjesë disa prej veprave më të njohura
e më të rëndësishme të trashëgimisë historike dhe kulturore të Shqipërisë, ndër të
cilat "Koka e Apolonit", e njohur për vite me radhë si "Dea e Butrintit", "Epitafi
i Gllavenicës", dhe një përzgjedhje e pikturave ikonografike të mjeshtrit të madh
shqiptar, Onufrit. Ekspozita kushtuar ‘trashëgimisë kulturore shqiptare’
ka ngjallur interesim të madh në mediat dhe publikun e gjerë të vendit fqinj. Kështu
në një konferencë për shtyp të organizuar me rastin e inaugurimit të saj në Torino,
morën pjesë me dhjetëra gazetarë të mediave kryesore italiane, ndër të cilat radiotelevizioni
publik 'RAI', të përditshmet 'La Stampa' dhe 'La Repubblica', agjencia e lajmeve 'ANSA',
etj. Pala shqiptare u përfaqësua në inaugurim nga z.Apollon Baçe, drejtor i Institutit
të Monumenteve të Kulturës dhe z. Llesh Kola, Ambasador i Shqipërisë në Itali. Pas
vizitës, kryetari i Bashkisë së Torinos Piero Fasino dhe ish-kryeministri Massimo
D’Alema shprehën vlerësimin e tyre për vlerat e larta të trashëgimisë kulturore shqiptare
dhe bindjen se ato do t'i shërbejnë njohjes më të mirë reciproke mes italianëve dhe
shqiptarëve, si edhe nxitjes së turizmit kulturor drejt vendit tonë. "Kjo është
një veprimtari kulturore e rëndësishme për dy arsye: E para sepse Italia dhe Shqipëria
janë dy vende që gjatë shekujve kanë ndërtuar marrëdhënie të forta e të shumëfishta,
kryesisht në rrafshin e kulturës dhe të qytetërimit", ka thënë për mediat, kryetari
i Bashkisë së Torinos, Piero Fasino. Sipas tij, për torinezët pra, njohja e Shqipërisë,
historisë, traditave dhe kulturës së saj është gjithashtu një mënyrë për të njohur
një pjesë të kulturës së tyre. "Arsyeja e dytë lidhet me faktin se tashmë në Torino
jeton një bashkësi e madhe shqiptare e përbërë nga thuajse pesë mijë qytetarë; është
e drejtë që ata, në qytetin e ri ku kanë zgjedhur të jetojnë, të mund të gjejnë të
pasqyruar kulturën, qytetërimin dhe identitetin e tyre të origjinës", deklaroi Fasino.
Qytetari i parë i Torinos, bëri me dije se ekspozita është një event kulturor i rëndësishëm
për qytetin dhe për bashkësinë shqiptare atje, e kjo e bën atë të mendojë se do të
ndihmojë secilin prej nesh të mësojë dhe të kuptojë më shumë, për të jetuar më mirë
së bashku. Një vlerësim ka dhënë nga ana e tij edhe një tjetër emër i njohur i politikës
Italiane. "Shqipëria është fare pranë vendit tonë dhe brigjet e saj janë kaq të paeksploruara
dhe pjesërisht të virgjëra, sa të përbëjnë një joshje të madhe për ata që pëlqejnë
bregdetin", ka thënë ish-kryeministri italian D'Alema. Ai ka shtuar se përtej turizmit,
mendon se lidhjet që janë krijuar gjatë viteve mes dy vendeve tona, solidariteti në
procesin demokratik dhe lidhjet kulturore dhe ekonomike ekzistuese janë një vlerë,
një faktor sigurie dhe bashkëjetese. "Ne jemi ndër ata që mendojnë se Bashkimi Europian
duhet të përfshijë Ballkanin Perëndimor për të plotësuar kështu procesin e integrimit
të Europës. Momente si ky, ku Shqipëria paraqitet me thesaret e artit dhe të kulturës
së saj janë sigurisht shumë të rëndësishme për tu afruar edhe më shumë", ka theksuar
D'Alema. Ndërkaq, politikani ka deklaruar se ka besim që politika e miqësisë me
Shqipërinë dhe politika e Italisë në favor të aderimit të vendeve të Ballkanit në
BE është një element që nuk njeh ndasi në politikën italiane. "Politika italiane është
e ndarë në shumë gjëra, por ky është një objektiv për të cilin jemi dakord të gjithë.
Prandaj nga kjo pikëpamje mendoj se miqësia mes dy vendeve tona do të vijojë të jetë
një element themelor i politikës sonë të jashtme", -ka përfunduar ai. Ekspozita
"Thesaret e Trashëgimisë Kulturore Shqiptare" do të qëndrojë e hapur në Torino deri
në 7 Prill të këtij viti. Falë promovimit të fuqishëm në media dhe jo vetëm, nga ana
e institucioneve kulturore të qytetit, në bashkëpunim edhe me shoqatat dhe organizatat
kulturore të bashkësisë shqiptare në Itali organizatorët presin që numri i vizitorëve
të ekspozitës të jetë mjaft i lartë, çka do të kontribuojë në njohjen më të mirë të
Shqipërisë, shqiptarëve dhe kulturës së tyre mijëravjeçare, me rrënjë të hershme në
trungun e kulturës europiane. (Gazeta Shqiptare/ BalkanWeb)