2013-02-05 15:38:04

Shqipëria kujtohet për shtatoren e dom Nikoll Kaçorrit


Më në fund, e më mirë vonë se kurrë, Shqipëria zyrtare kujtohet edhe për figurën e jashtëzakonshme të zv.kryeministërit të Qeverisë së Ismail Qemal Vlorës në vitin 1912, dom Nikoll Kaçorrit. Sipas njoftimeve nga Shqipëria, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve dhe Galeria Kombëtare e Arteve Tiranë shpallin konkursin për realizimin e shtatores së një tjetër figure historike.
Ende në valën e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë, me urdhër të ministrit të Shqipërisë të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, shpallet konkurs mbarëkombëtar për realizimin e shtatores kushtuar Dom Nikoll Kaçorrit, zv.kryeministër i Qeverisë së Ismail Qemal Vlorës në vitin 1912.
Sipas njoftimit të GKA-së, “shtatorja duhet të jetë figurative dhe realiste, pasi i kushtohet një personaliteti historik, të njohur e të rëndësishëm të historisë shqiptare”.
Shtatorja përfundimtare do të derdhet në bronz e do të vendoset në një nga sheshet e qytetit të Durrësit. Konkursi është i hapur për individë dhe për grupe artistësh, të cilët mund të konkurrojnë vetëm me një bocet, i cili duhet të jetë i punuar enkas për këtë konkurs.
Boceti pjesëmarrës duhet të jetë me lartësi nga 50 cm deri në 90 cm dhe mund të realizohet në materiale të ndryshme. Afati i dorëzimit të tyre është nga data 1-29 prill. Vlerësimi artistik është 1 700 000 lekë.







All the contents on this site are copyrighted ©.