2013-02-05 15:38:16

Elbasan: restauratorët bëjnë bashkë portretet e dhunuara të shenjtorëve të Valshit


Tryeza është e mbushur me thërrmija, ku tek-tuk mund të shquash ndonjë detaj, një aureolë, një vijë fytyre a balli. Duket si një mision i pamundur, por specialistët po mundohen të bëjnë bashkë qindra thërrmija, për të shpëtuar sa të mundin çka ka mbetur nga masakra e Kishës Ortodokse të Shën Premtes në Valësh të Elbasanit. Copëzat e afreskut të lashtë, të shpërndara në dyshemenë e Kishës, tashmë janë mbledhur dhe ndodhen në Laboratorin e Restaurimit të Institutit të Monumenteve të Shqipërisë. Dëmtimi është i jashtëzakonshëm. Janë 15 portrete Shenjtorësh të tentuar, 10 të prerë dhe 5 të rrethuar, por të papërfunduar. Gjithsej, 3.2 metra katrorë sipërfaqe e dhunuar. Ky është bilanci i shkatërrimit të ndodhur në kapërcyell vitesh, në Kishën e vogël të pikturuar nga Onufri, rreth 460 vjet më parë.
Mes pjesëve të mbetura, i plotë është vetëm portreti i Shën Grigor Theollogut. Përveç nja dy copa aureolash pak më të mëdha, pjesa tjera janë thërrmija dhe për specialistët nuk do të jetë aspak e lehtë për t’u gjetur vendin e ngjarjes. “Do të merremi me rikompozimin e pjesëve, pasi siç e shihni janë qindra pjesë të copëtuara. Do të marrim fotografitë e bëra para dëmtimit, dhe sipas atyre do rikompozojmë portretet, aq sa kanë mbetur prej tyre, sepse pjesa më e madhe është e dëmtuar. Shkatërrimi, siç e shihni dhe vetë, është në maksimum, vetëm pluhur ka ngelur për t’u bërë se s’ka ngelur gjë tjetër”, thotë një nga restauratorët që po punon mbi to, Gentian Vokopola.
Pas kësaj pune të imët seleksionuese, copëzat do të ngjiten së bashku, për t’u vendosur më tej në afreskun e gjymtuar të Kishës së Shën e Premtes. “Këtu në laborator do të bëjmë ngjitjen e tyre, trajtimin e këtyre pjesëve prapa, pastaj, kur të përfundojmë këtë proces, është i mundur rivendosja e këtyre copave në vendin ku kanë qenë”, thotë restauratori. Por pavarësisht kësaj ndërmarrjeje, dëmi i shkaktuar është i pazëvendësueshëm. Nga gjithë sipërfaqja e dëmtuar, thërrmijat e mbetura përbëjnë vetëm 10% të saj. Pas bërjes publike të këtij shkatërrimi, një nga përfaqësuesit e Forumit për Mbrojtjen e Monumenteve, Artan Lame, akuzoi për shkatërrim të materialit të mbetur. Sipas tij, forcat e rendit dhe të gjithë ata që hynë në Kishë pas ngjarjes së tmerrshme, kanë shkelur dhe thërrmuar me këmbë copëzat që kishin rënë në dysheme të tempullit të krishterë. Gjithashtu, i gjithë materiali është grumbulluar në një vend të përbashkët, duke e bërë edhe më të vështirë punën e restauratorëve për të shquar copat e secilit portret. (nga Panorama 29/1/2013)







All the contents on this site are copyrighted ©.