2013-02-05 12:39:16

Atë Samir: ikja e të krishterëve nga Lindja e Mesme vë në rrezik të drejtat dhe liritë themelore


Të krishterët e Lindjes së Mesme pakësohen nga dita në ditë. Nëse në fillim të shekullit përfaqësonin 20% të popullsisë, sot, në vende të ndryshme të rajonit aziatik jugperëndimor, arrijnë vetëm në 10%. Të krishterët largohen nga Lindja e Mesme për shkak të gjendjes së krijuar nga konfliktet e fundit. Në Jeruzalem e në Nazaret përbëjnë tashmë vetëm 2% të popullsisë. Numri më i madh i të krishterëve është në Liban, ku arrijnë në 35% të popullsisë, por emigrimi vazhdon. Për një analizë të këtyre statistikave, ftuam në mikrofonin tonë ekspertin e çështjeve të Lindjes së Mesme, atë Samir Khalil Samir, jezuit:
Ka pasur gati gjithmonë probleme. Ajo, që përjetojmë sot, në të gjithë botën islamike, është ashpërsimi i vazhdueshëm i protestës kundër atij pushteti botëror, që e quan veten Perëndim – e Perëndimi shihet si i krishterë nga myslimanët, megjithëse është gjithnjë e më pak i tillë. Kjo ka pasur pasoja të rënda mbi të krishterët e zonës.
Si është gjendja në ato vende, nga të cilat janë larguar të krishterët?
Sa më shumë të krishterë të ikin nga vendi, sa më shumë të bëhen një pakicë e vogël, aq më shumë disa parime moderne, si për shembull, të drejtat e njeriut, nuk respektohen më. Me pakësimin e elementit të krishterë, bëhet një hap mbrapa edhe në ekonomi, por më shumë në politikë, sidomos në gjithçka ka të bëjë me të drejtat e njeriut: gjendja e gruas, liria fetare, liria në përgjithësi, përparimi shoqëror, të drejtat shoqërore për më të varfërit dhe më të dobtit. Edhe për këtë arsye, vetë myslimanët – intelektualë e jo, politikanë e njerëz me kulturë – thonë: “Ju lutemi, mos ikni! Rrini këtu! Kemi jetuar bashkë prej shekujsh!”. Këtë dëgjojmë përditë.
Sipas jush, cili është ekuilibri më i vlefshëm për funksionimin e mirë të shoqërive shumëetnike e shumëfetare?
Mendoj se, para së gjithash, udha e vetme do të ishte të shiheshin ndryshimet si pasuri e jo si varfërim i shoqërisë. Ky është parimi i parë, që na ka mësuar historia: aty, ku kombet pranojnë të jetojnë me njerëz të ndryshëm, arrihet një përparim më i madh. Multikulturaliteti aktual nuk përkon me tonin, që ka shekuj jete; kjo është pika e parë. Duke ndjekur këtë linjë, duhen pranuar disa parime të përbashkëta, pra, është e nevojshme një Kushtetutë, që u jep barazi të gjithëve, duke njohur aty-këtu, variante të ndryshme kulturore e strukturore. Të krishterët dëshirojnë një sistem, që nuk bën diskriminime mbi bazën e fesë e madje, nuk bën asnjë diskriminim. Jemi në një fazë shumë delikate të botës arabe, shumë të vështirë. Është fjala të kalojmë nga një botë diktatoriale, që nuk ka përvojë demokratike, në një botë demokratike, që përpiqet të njohë vlerën absolute të çdo njeriu.







All the contents on this site are copyrighted ©.