2013-02-04 17:11:14

“Porta e fesë” është gjithnjë e hapur: mbajeni gjallë flakën e ‘dashurisë së parë’!


“Porta e fesë” është përherë e hapur. Në Ditën XVII botërore të Jetës Rregulltare, Papa kryesoi, në Bazilikën e Vatikanit, Meshën Shenjte, kushtuar pikërisht këtij kremtimi. Përfaqësuesve të Instituteve të Jetës së Përkushtuar e të Shoqërive të Jetës Apostolike, u drejtoi tri ftesa që, tha Papa, të mund të hyjnë plotësisht në atë “Portë të fesë”, e cila është gjithnjë e hapur për ne.
Në radhë të parë, ftesa për ta mbajtur ndezur flakën e fesë, që të mund të ndriçojnë kështu botën me thirrjen e tyre.
Prej këndej, ftesa tjetër, për të kujtuar, përmes shtegtimit shpirtëror, dashurinë e parë, me të cilën Jezusi ua ngrohu zemrat. E kjo, jo për nostalgji, por për të ushqyer flakën e fesë.
Në vijim, Benedikti XVI i ftoi përfaqësuesit e Jetës së Përkushtuar ta kultivojnë fenë, që është e aftë të pranojë edhe dijen e ligështisë. Në gëzimet e mjerimet e kohës së sotme, kur barra e kryqit ndjehet fort, e dhemb fort, tha Papa, mos dyshoni se ‘kenosi’ i Krishtit është flija e Pashkëve. Pikërisht në limitin e në ligështinë njerëzore, jemi të thirrur ta jetojmë njësimin me Krishtin, në një tension, i cili na pushton plotësisht e i paraprin, në atë masë që lejon jeta në kohë, përkryerjes eskatologjike.
Në shoqëritë, që vlerësojnë mbi të gjitha aftësinë për punë, fitimin, suksesin, jeta juaj e kaluar nën hije, nën shenjën e ligështisë e të vogëlsisë së atyre, që nuk kanë zë, theksoi Papa, bëhet shenjë ungjillore kundërvëniejeje. Risimi i fesë, nënvizoi Ati i Shenjtë, ju bën shtegtarë drejt së ardhmes.
Papa kujtoi, në Ditën e jetës së përkushtuar, edhe se shëlbimi, që Jezusi i sjell popullit të vet e që e mishëron në vetvete, kalon përmes kryqit, përmes vdekjes mizore, të cilën Ai e mund dhe e shndërron në flije të jetës, për dashurinë. Kjo flije paralajmërohet plotësisht në gjestin e Paraqitjes në Tempull, gjest natyrisht i kryer sipas traditave të Besëlidhjes së Vjetër, por i frymëzuar thellësisht nga feja e përkryer e nga dashuria, që përkon me plotësimin e kohëve, me praninë e Hyjit e të Shpirtit të tij të Shenjtë në Jezusin.







All the contents on this site are copyrighted ©.