2013-02-04 13:59:04

Papa në Engjëllin e Tënzot: t’i përgjigjemi krizës aktuale, duke investuar për jetën e familjen.


Në Ditën kushtuar jetës, që në Itali kremtohet të dielën e parë të shkurtit, dje gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, PapaBenedikti XVI uroi të mbrohet dinjiteti i çdo njeriu dhe nxiti të investohet mbi jetën e familjen, si përgjigje e frytshme ndaj krizës aktuale. Kujtoi, më pas, se Jezusi nuk erdhi që të duartrokitej nga njerëzit, por që të jepte dëshmi për të vërtetën.
“Asnjë profet nuk mikpritet në vend të vet”. Këtë fjalë të urtë, shkëputur nga Ungjilli i së dielës citoi Papa, duke kujtuar Jezusin që, në sinagogën e Nazaretit - vend ku rritej e ku të gjithë e njihnin atë e familjen e tij - kumton përmbushjen e një profecie të Izaisë për Mesinë, duke nënkuptuar se Mesia ishte Ai vetë. Ky pretendim i një zdrukthëtari, nuk mund të jetë tjetër, veçse fodullëk, mendojnë bashkëvendasit. E kur Jezusi kujton dy mrekullitë e kryera nga profetët Elia e Elizeu mbi njerëz që nuk ishin izraelitë, reagimi është i njëzëshëm: të gjithë brofin në këmbë dhe e nxjerrin jashtë për t’ia thyer qafën në humnerë. Po si është e mundur që Jezusi deshi të arrihej deri tek kjo prishje? Pikërisht kjo është pika kryesore:
“Jezusi nuk erdhi të kërkojë miratimin a pëlqimin e njerëzve, por, siç do t’i thotë në fund Pilatit, të japë dëshmi për të vërtetën”.
Profeti i vërtetë ia vë veshin vetëm Hyjit dhe vihet në shërbim të së vërtetës, i gatshëm ta paguajë këtë edhe me jetë:
Vërtet që Jezusi është profet i dashurisë, por edhe dashuria e ka të vërtetën e vet. Madje dashuri e vërtetësi janë dy emra të të njëjtit realitet, dy emrat e Hyjit”.
Në Liturgjinë e Fjalës së Zotit të së dielës ishin edhe fjalët e Shën Palit kushtuar Dashurisë, që është zemërgjërë, e dhimbshme, nuk ka smirë, nuk mbahet me të madh, nuk krenohet, nuk është e panjerëzishme, nuk kërkon interesin e vet, nuk zemërohet, nuk e mban mend të keqen, nuk i kënaqet padrejtësisë, por i gëzohet të vërtetës. Arsyeton gjithçka, beson gjithçka, shpreson gjithçka, duron gjithçka:
“Të besosh në Zotin, do të thotë të heqësh dorë nga paragjykimet tuaja e ta pranosh fytyrën konkrete, me të cilën Ai na u dëftua: njeriu Jezus nga Nazareti. E kjo udhë të ndihmon edhe ta njohësh e t’i shërbesh në të tjerët”.
Kush nuk shkandullohet nga natyra njerëzore e Jezusit, është Nëna e Tij, deri në natën e Kryqit e në dritën e plotë të Ngjalljes:
“Mari, na ndihmo edhe ne të ecim me besnikëri e gëzim në këtë udhë”.
Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi Ditën për jetën, duke bashkuar zërin me atë të ipeshkvijve italianë e duke i nxitur të gjithë të investojnë për jetën dhe familjen, edhe si përgjigje ndaj krizës aktuale:
“Përshëndes lëvizjet për jetën dhe i uroj suksese nismës “Një nga ne”, faleminderit! - që Evropa të jetë gjithnjë vend, ku mbrohet dinjiteti i çdo njeriu”.
Në përfundim, ftesa për formimin e punonjësve të shëndetësisë me kulturën e jetës, drejtuar përfaqësuesve të fakultetit të Mjekësisë e Kirurgjisë të Universiteteve të Romës, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjertit, shoqëruar nga kardinali-mëkëmbës, Agostino Valini.







All the contents on this site are copyrighted ©.