2013-02-04 18:05:32

Koncert në Sallën Pali VI me Benediktin XVI e Napolitanon. Zubin Mehta: emocion i madh të luash muzikë për ta.


U mbajt, sot pasdite, duke nisur nga ora 18.00, në Sallën e Palit VI, në Vatikan, një Koncert, ofruar nga Ambasada e Italisë pranë Selisë së Shenjtë, për nder të Benediktit XVI dhe të Presidentit të Republikës Italiane, Giorgio Napolitano, me rastin e 84-vjetorit të Pakteve Lateranense. Orkestra e Majit Muzikor Fiorentin, drejtuar nga mjeshtri i madh, Zubin Mehta, luajti Simfoninë n. 3 të Betovenit dhe “Forca e fatit” të Gjuzepe Verdit. Kujtojmë se me emrin “Maji Muzikor Fiorentin” njihet festivali vjetor i operave lirike, koncerteve, baleteve, shfaqjeve të tjera, që jepen kryesisht në pranverë, në teatrin me të njëjtin emër, themeluar më 1933. Që nga viti 1986 drejtori kryesor i Orkestrës së Majit Muzikor Fiorentin është Zubin Mehta.
Koncerti, lexojmë në një komunikatë të Ambasadës, synon të vulosë simbolikisht mirëkuptimin dhe përkimin e plotë, që i lidhi në rrjedhë vitesh këta dy Personalitete, duke kontribuar aq shumë për stabilitetin e një vendi, të tronditur tepër shpesh nga përçarjet.
Në mikrofonin tonë, Zubin Mehta flet për emocionet me të cilat e drejtoi këtë Koncert kaq të pazakontë:

Përgjigje: - Pata nderin dhe kënaqësinë të luaj për Atin e Shenjtë. Presidenti Napolitano ka qenë në Firence, në premierë, dy vjet më parë. Të luash tani përsëri për të dy bashkë, për mua është ëndërr, realizuar sot. Hera e fundit, që drejtova një koncert për Papën, ka qenë kur Ati i Shenjtë ishte kryeipeshkëv i Munihut: luajtëm një Meshë, në të cilën ishte i pranishëm edhe kardinali Ratcinger.

Pyetje: - E dimë se pikërisht asokohe e takuat për herë të parë kardinalin bavarez, të cilin sonte e ritakuat si Papë…

Përgjigje: - Ka qenë gjithnjë dashuronjës i muzikës. Në këto vite të papnisë së Tij i kam ndjekur vazhdimisht koncertet e ndryshme, në të cilat ka qenë i pranishëm: natyrisht edhe unë dëshiroja të luaj për të! Prandaj e prita me padurim çastin e kësaj ngjarjeje fatlume muzikore.

Pyetje: - Hyjmë, tani në veçantitë e programit: kjo simfoni e Verdit, “Forca e fatit”, është vepër, për të cilën është shkruar shumë: simfoni që jeton një jetë të veten, në krahasim me operën, sepse përmbledh paksa gjithçka është treguar në operat e Verdit….

Përgjigje: - Ju tashmë i thatë të gjitha. Por, vepra që desha të interpretoj për Presidentin e Papën, është ‘Simfonia Heroike” e Betovenit, vepra e tij kryesore. Me “Heroiken” Betoveni mbylli epokën, nisur me Hajdn, me botën klasike, e vuri bazat për gjithë periudhën romantike, që do të vijonte pastaj për njëqind vjet. Kjo Simfoni është e plotë, prej këndej, me rëndësi të madhe. E di se Papa e vlerëson shumë edhe Betovenin. Orkestra jonë e ka luajtur gjatë gjithë turneut në Amerikën Jugore, verën e kaluar e, prej këndej, e interpretuam me kënaqësi të rrallë edhe në Romë.

Pyetje: - Kemi lexuar për turnetë tuaja entuziazmante në Jug të Amerikës, së bashku me orkestrën e Majit Muzikor Fiorentin. Ishit edhe në Turqi, duke përshkuar mbarë Evropën, madje, botën. Ç’mund të na thoni për publikun, që ndoqi lojën tuaj?

Përgjigje: - Gjatë gjithë jetës luajta koncerte e opera, për ta çuar muzikën te njerëzit, për t’i bashkuar njerëzit e mbarë botës: nuk duhet harruar forca e muzikës! Posaçërisht në Lindjen e Mesme, në Izrael, me impenjim të madh shikoj si arabët e hebrenjtë rrinë ulur bashkë për dy orë, gjatë koncerteve: nuk i zgjidhin problemet, por të paktën rrinë bashkë e i buzëqeshin njëri-tjetrit. E kjo duhet bërë njëmijë herë, çdo ditë, në mbarë botën, me muzikën, e jo vetëm me atë klasike, por me muzikën në përgjithësi. Me të vërtetë, as që mund të përfytyrohet sa e rëndësishme është muzika për njeriun, sa rëndësi ka për zemrën, sa e lehtëson shpirtin. Shpresoj se sot, në përfundim të ekzekutimit të “Heroikes”, njerëzit e morën një mesazh të fortë nga skena.







All the contents on this site are copyrighted ©.