2013-02-04 17:39:51

DBR-së: Atë Kiera: ‘meninos de rua” e presin Papën me padurim.


Në Rio-de-Zhanéjro vijojnë përgatitjet për DBR-së, që do të mbledhë, në qytetin brazilian, të rinj nga mbarë bota për takimin me Papën. Pritje, padurim. E me të njëjtin padurim e presin Atin e Shenjtë edhe “të rinjtë e përjashtuar”, fëmijët e rrugës, siç nënvizon Atë Renato Kiera, themelues i Shtëpisë do Menor, në Rio-de-Zhanejro:

Përgjigje: - Pritja është shumë e madhe, e ne do të ishim shumë të kënaqur në se Papa do të takohej me këtë rini, me rininë e përjashtuar, më të përjashtuarën nga radhët e shoqërisë, atë që shkon në “crackolandie”, që merret me trafikun e drogës, për të pasur një farë vlere, për të qenë e dukshme, për t’i treguar botës se është ende në jetë. Prandaj ne dëshirojmë shumë që Ati i Shenjtë, i cili ua hap zemrën të rinjve, i do të rinjtë, të mendonte edhe për një takim me ta. E ne ëndërrojmë që të rinjtë e “Shtëpisë do menor”, përfaqësues të kësaj pjese të rinisë, adoleshentët e padashur e të përjashtuar, të mund t’i japin një përqafim Papës.

Pyetje: - Kur Papa ishte në Brazil, më 2007, në Fazenda da Esperança, takoi fëmijët: ishte një çast që mbarë Brazili vijon ta kujtojë edhe sot e kësaj dite me gëzim e emocion...
Përgjigje: - Unë ia pata dhënë këtë ide atyre të Frei Hans (themelues i Fazenda da Esperança). U pata thënë: “Shiko, kujtojani Papës se mund të takohet edhe me fëmijët. Organizoni një takim, që ata të mund të arrijnë tek ai e ta përqafojnë. E ky përqafim i bëri mirë edhe Atit të Shenjtë. Ëndërrojmë që edhe djemtë tanë ta përqafojnë Benediktin XVI: o gjatë Meshës, ose sapo të arrijë. Nuk kërkojmë më shumë: vetëm një përqafim! “Gen rosso” i Lopianos, i Lëvizjes së Fokolarëve, dëshiron të përgatisë një shfaqje me të rinjtë e përjashtuar. Prej këndej, po kërkojnë të rinjtë e rrugës, të rinjtë e “Shtëpisë do menor”, të “Fazenda da Esperança” dhe të rinj, që janë në burg. E do të dëshironin të organizonin një shfaqje me 200 prej tyre, 40 nga ‘Shtëpia do menor’. Ne kemi nisur përgatitjet: djemtë janë shumë të kënaqur dhe e ndjejnë veten shumë të nderuar, që janë thirrur të përgatisin shfaqje për Papën. Jezusi do të kishte ardhur mes tyre, sepse Ai i kërkon, i do të përjashtuarit. E ne, që jemi ‘Shtëpia do menor’, pra, e të vegjëlve, do të jemi përvujtërisht të kënaqur, si për Papën, ashtu edhe për të rinjtë tanë. Jam i sigurtë se kjo do të ishte një ngjarje e paparë, shumë e bukur. Figurë e paharrueshme. Kur shikohet Ati i Shenjtë që përqafon e përqafohet, kjo nuk mund të mos e emocionojë mbarë botën.







All the contents on this site are copyrighted ©.