2013-02-04 12:31:25

Benedikti XVI priti në audiencë Patrikun e ri të Kishës së Kajdejëve Fortlumturinë e Tij Sako I


Papa Benedikti XVI priti sot paradite në Vatikan në audiencë Patrikun e ri të Babilonisë së kaldejvëve të krishterë (Bagdadit), imzot Louis Raphael Sako I. Ipeshkvi imzot Sako është zgjedhur këtyre ditëve në krye të Kishës kaldeje dhe mori miratimin “ecclesiastica communio” ( bashkimin kishtar) nga ana e Papës. Në audiencë te Ati i Shenjtë Benedikti XVI Fortlumturia e tij Patriku Sako I shoqërohej nga anëtarët e Sinodit të ipeshkijve të Kishës kaldeje.
Ish arqipeshkëvi kalde i Kirkukut, Imzot Luis Sako duke folur mbi rëndësinë e pranisë të të krishterëve në Irak e në Lindje të Mesme, nënvizoi se “duhet të kujtohemi që Kisha nuk është vetëm lutje dhe liturgji. Edhe vëllezërit tanë myslimanë presin diçka prej nesh dhe ne jemi aty për t’i ndihmuar, për ta kuptuar pluralizmin përkrah njëri-tjetrit”.
Patriku Fortlumuria tij Sako shpjegoi se “problemet e të krishterëve janë të njëjta në Irak, në Liban e në Palestinë, kështu që është e rëndësishne që të gjithë ipeshkëvinjtë e rajonit së bashku me ekspertë të shqyrtojnë një varg çështjesh”.
Në këtë kuptim është urgjente, vijoi Patriku Sako “që të kemi një pozicion të qartë si Kishë në lidhje me problemet e hapura, përndryshe të krishterët do ta braktisin këtë tokë e troje”. Është pra e rëndësishme që të gjitha Kishat e e krishtera të lindjes, të studiojnë disa tema si marrdhëniet me islamin, rolin e të krishterëve në politikë, vlerën e dëshmisë së krishterë”.
“Kemi nevojë për afrimin e Kishës – shtoi Patriku Sako. Kemi një lloj prandjenjeje se jemi të harruar dhe të izoluar, kështu që kur Papa na thotë një fjalë që na jep zemër kjo për ne është shumë e rëndësishme”.
Gjithashtu Patriku Sako përmendi faktin se në vitet e fundit në Irak ka pasur mase 500 martirë të krishterë për të cilët ai si kryeipeshkëv e tani si Patrik e ruan listën e emrave të tyre. Më tej Patriku Sako vuri në dukje se koncepti i demokracisë nuk është i njëjti në perëndim dhe në lindje dhe që Iraku pas 35 viteve diktaturë dhe 5 viteve luftë ka nevojë në rradhë të parë për liri. Sigurisht që situata e të krishterëve në Irak nuk është e lakmueshm. Një numër i madh të krishterësh po largohet nga Iraku për shkak të situatës aktuale, të vështirësive ekonomike e të mungesës së sigurisë. Por dhe të gjërave më të nevojshme për jetën e përditshme: benzinës, ujit, elektricitetit. Pavarësisht nga të gjitha këto, Kisha ecën përpara dhe vijon të punojë për t’u shërbyer të krishterëve që mbeten në Irak, duke dhënë mes tyre dëshminë e vet. Nuk janë të vetmit që vuajnë. Të njëjtat vështirësi kalojnë edhe vëllezërit myslimanë. Është një situatë që prek gjithë popullin irakian.
E Kisha vendase po bënë gjithçka është e mundur për të lehtësuar vuajtjet e të shpërngulurve e të refugjatëve të krishterë në Irak e në vendet fqinje. Ipeshkvijtë tanë në dioqezat e tyre u qëndrojnë shumë pranë besimtarëve të krishterë, përpiqen t’i kuptojnë e t’i ndihmojmë konkretisht. Prandaj mund të themi se Kisha është e gjallë, është ende e pranishme. Meshtarët vijojnë të punojnë me zell të madh e me impenjim të madh baritor edhe për t’u thënë të gjithëve me vepra, jo thjeshtë vetëm me fjalë: “Jemi këtu me ju, jemi pranë jush, vuajmë me ju! Vëllazërimi, respekti reciprok, bashkëjetesa paqësore ndërmjet të krishterëve e myslimanëve ekziston prej vitesh. Më parë as që është vënë në diskutim çështja e feve. Ndërsa sot grupet fanatike duan të krijojnë vështirësi për popullin irakian e ta ngadalësojnë kështu procesin e paqes, që krijon kushte për një ardhmëri më të mirë. Por populli irakian e di se këto grupe integraliste janë aty vetëm për të përçarë e për të sunduar. Irakianët, myslimanë e kristianë, janë ende të bashkuar e vijojnë të punojnë së bashku për të dhënë ndihmesën e tyre në procesin e paqes.
Kujtojmë se Kisha Kaldeje është Kisha e Mesopotamisë, themeluar nga Shën Toma Apostull. Kisha Kalde lindi nga ndarja me Kishën ortodokse Asiro-kalde. Ka bërë përpjekje për t’u ribashkuar me Romën që në shekullin XVI, por ato u zyrtarizuan në vitin 1830. Patriku i Babilonisë së Kaldejve, Fortlumturia e Tij Sako e ka selinë në Bagdad të Irakut. Përveç Irakut, kjo Bashkësi e krishterë kishtare ka besimtarë kaldej të krishterë edhe në Liban, ku arrijnë në 10 mijë vetë, por ata janë shtuar pas ndërhyrjes së amerikanëve në Irak, në vitin 2003. Po të krishterë të Kishës Kaldeje ka edhe në Vende tjera të botës. Kisha Kaldeje numëron rreth 500 mijë besimtarë.







All the contents on this site are copyrighted ©.