2013-02-01 17:16:26

Mesazhi i Papës për Kreshëm: feja pa vepra, është si pema pa kokrra.


“Për një jetë të shëndetshme shpirtërore, është e nevojshme të rrish larg si nga feja pa vepra, ashtu edhe nga aktivizmi moralist”. Është një nga fragmentet kryesore të Mesazhit të Benediktit XVI për Kreshmët 2013, botuar sot. Papa flet për lidhjen e pazgjidhshme ndërmjet fesë dhe dashurisë së krishterë dhe i fton besimtarët t’i shikojnë veprat e tyre bamirëse, si pasqyrim i dashurisë së Krishtit për njeriun.
“Ne e njohëm dashurinë, që ka Hyji për ne, dhe i besuam asaj” (1 Gjn,4,16). Tema ungjillore e Mesazhit për Kreshmët shpreh përmbledhtas të vërtetën, të cilën Benedikti XVI e pohon në mënyrë të veçantë: “I krishteri nuk e do të afërmin, sepse është i mirë e solidar në përgjithësi, por sepse e ka provuar në vetvete dashurinë e Krishtit e pikërisht këtë dashuri ua kumton të tjerëve”. Papa sqaron përsëri lidhjen e ngushtë të fesë me bamirësinë dhe nevojën që asnjëra të mos dalë mbi tjetrën. Çështja në fjalë nuk është e re: u trajtua nga Shën Pali e Benedikti XVI e riaktualizon. Feja e dashuria e krishterë, shkruan, janë virtyte të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme e është jashtë mendsh t’i shikosh duke iu kundërvënë njëra-tjetrës, t’i shikosh me syrin e ‘dialektikës’ siç ngjet nganjëherë, vëren Ati i Shenjtë, kur ekziston prirja për ta shpjeguar termin ‘dashuri e krishterë”, si solidaritet ose, thjesht, si ndihmë humanitare.
I krishteri, e posaçërisht “veprimtari i bamirësisë”, vijon Papa, është njeri i pushtuar nga dashuria e Krishtit e prandaj ia hap zemrën në mënyrë konkrete e të thellë të afërmit. Benedikti XVI përdor një shprehje të njohur figurative, për ta shpjeguar natyrën e kësaj dashurie: “Jeta e krishterë, pohon, është ngjitje e vazhdueshme mbi malin e takimit me Hyjin, për të rizbritur, pastaj, duke sjellë me vete dashurinë dhe forcën, që rrjedhin prej saj, për t’u shërbyer vëllezërve e motrave tona, me të njëjtën dashuri, që ka Zoti për ne”. Mbi këtë bazë kuptohet mirë se, për një të krishterë, bamirësia më e madhe duhet të jetë ungjillëzimi, domethënë, shërbimi ndaj Fjalës së Zotit. Ashtu si çdo i krishterë e di mirë se veprat më të mëdha të dashurisë, nuk janë aq përpjekjet e tij për të sjellë fryt, sa nisma shëlbuese, që vjen nga Hyji, nga Hiri i Tij. E kjo, pohon Benedikti XVI, nuk e cënon aspak lirinë dhe përgjegjësinë tonë, përkundrazi, e bën më të vërtetë dhe e orienton drejt veprave të bamirësisë. Si përfundim, nënvizon Papa, feja pa vepra është si pema pa kokrra: në se e para të bën ta njohësh të vërtetën e Krishtit, si dashuri e mishëruar dhe e kryqëzuar, e dyta të bën të hysh në këtë dashuri e të shtyn ta dhurosh plotësisht vetveten.







All the contents on this site are copyrighted ©.