2013-02-01 17:18:11

Libi: dy bashkësi fetare detyrohen ta braktisin Cirenaiken. Frika e imzot Martinelit.


Dy bashkësi fetare u larguan nga Cirenaika, pas presioneve të ushtruara mbi ta nga fondamentalistët, denoncon përmes agjencisë Fides, imzot Xhovani Inoçenco Martineli, mëkëmbës apostolik i Tripolit. Prelati njofton se në lindje të Libisë, situata është shumë kritike. Më 20 shkurt parashikohen manifestime të mëdha në të gjithë Cirenaikën. Prej këndej, mëkëmbësi apostolik u paralajmërua ta lërë kishën e tij duke nisur nga 13 shkurti e të kërkojë strehim dikund tjetër, për të shpëtuar nga rreziqet e mundshme. Imzot Martineli na e përshkruan kështu kuadrin e situatës së Kishës në Cirenaikë: pak ditë më parë u detyrua ta braktisë Dernën Kongregata e Familjes së Shenjtë e Spoletos, e pranishme këtu që prej më se njëqind vjetësh, si dhe një meshtar salezian polak, i keqtrajtuar nga fanatikët. Në Beida, një bashkësi tjetër rregulltare femërore u largua, ndonëse në këtë rast, për shkaqe të brendshme. Në Barçe, Motrat Françeskane të Krishtit Fëmijë do të largohen nga shtëpia e tyre pas pak ditësh. Këtu, në Tripoli, deri tani situata është mjaft e qetë, por në Cirenaikë, vijon të acarohet më tej, pohon imzot Martineli e shton: “Na vjen jashtëzakonisht keq, që detyrohemi t’i kufizojmë veprimtaritë tona në këtë zonë, ku kemi krijuar lidhje shumë të bukura, duke lënë pas dëshmi miqësie të vërtetë me popullin libik. Por ky popull, kaq i dashur për ne, kohët me fundit, për fat të keq, po e ndjen fort praninë e fondamentalistëve. Pohojmë me bindje se këta nuk përfaqësojnë identitetin e popullit libik, por gjithsesi janë një nga shprehjet e shoqërisë së sotme libike. Si Kishë, ne marrim masat tona mbrojtëse, por nuk mund t’i braktisim të krishterët, që mbeten në vend. Do të rrinë pranë tyre dy bashkësi rregulltare në Bengazi e një bashkësi e vogël, në Tobruk. Së fundi, edhe një bashkësi tjetër motrash indiane në Beida” , thotë imzot Martineli, duke shprehur keqardhjen e tij të thellë: “Po varfërohemi në numër, por jo në shpresë. Kemi besim të plotë se një ditë bashkësitë tona këtu do të nisin përsëri lulëzimin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.