2013-01-31 15:59:10

Çelësi i fjalëve të Kishës: Besojma e Palit VI, pjesa IV


Emisioni i sotëm është i katërti, që ia kushtojmë “Besojmës” së Papës Pali VI. Kujtojmë se Ati i Shenjtë e pati shqiptuar nga Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan, më 30 qershor 1968, në përfundim të Vitit të Fesë, shpallur për të kremtuar 1900-vjetorin e martirizimit të shën Pjetrit e të shën Palit. Ky fakt citohet edhe nga Papa Benedikti XVI në Letrën Apostolike “Porta Fidei”, me të cilën u shpall Viti i Fesë, që po përjetojmë. Por, t’ia japim fjalën Palit VI. Rimarrim në dorë tekstin, në pikën ku Papa flet për Pagëzimin, duke iu referuar, natyrisht, “Besojmës” së Nikesë, që të krishterët e thonë në çdo meshë e, duke e pasuruar me komentin e tij:
“NE BESOJMË në një Pagëzim të vetëm, themeluar nga Zoti ynë Jezu Krishti për faljen e mëkateve. Pagëzimi u duhet dhënë edhe fëmijëve, që akoma nuk kanë mundur të bëhen fajtorë për ndonjë mëkat personal, në mënyrë që ata, të lindur pa Hirin e mbinatyrshëm, të rilindin “nga uji e nga Shpirti Shenjt” për jetën hyjnore në Krishtin Jezus (shih Dz.-Sch. 1514).
NE BESOJMË në një Kishë të vetme, shenjte, katolike e apostolike, ndërtuar nga Jezu Krishti mbi atë shkëmb, që është Pjetri. Ajo është Korpi mistik i Krishtit, njëkohësisht, institucion shoqëror, i përbërë nga organe hierarkike dhe, bashkësi shpirtërore; ajo është Kisha tokësore, Populli i Zotit në shtegtim këtu poshtë, por edhe Kisha e begatuar me dhurata hyjnore; ajo është fara dhe filizi i parë i Mbretërisë së Hyjit, përmes së cilës vazhdojnë, në ngjarjet e historisë njerëzore, vepra dhe dhimbjet e Shëlbimit; ajo aspiron përsosurinë e plotë përtej kohrave, në lavdinë hyjnore (shih “Lumen gentium”, 8 e 5). Përgjatë historisë, Jezusi Zot e formon Kishën e Tij përmes Sakramenteve, që burojnë nga plotësia e Tij (shih “Lumen gentium, 7, 11). Pikërisht me to, Kisha i bën anëtarët e saj, pjesëmarrës në Misterin e Vdekjes e të Ringjalljes së Krishtit, falë Shpirtit Shenjt, që i dhuron jetë e veprim (shih “Sacrosantum Concilium”, 5, 6; “Lumen gentium, 7, 12, 50).
Pra, ajo është shenjte, pavarësisht se në gjirin e saj ka edhe mëkatarë, sepse ajo nuk zotëron rrugë tjetër, përveçse asaj të Hirit hyjnor: duke jetuar jetën e saj, anëtarët e Kishës shenjtërohen, e duke u larguar nga kjo jetë, bien në mëkat e në çorientim, që e pengojnë rrezatimin e shenjtërisë së saj. Prandaj, Kisha vuan e bën pendesë për ato mëkate, nga të cilat ka pushtet t’i shërojë bijtë e vet me Gjakun e Krishtit dhe me dhuratën e Shpirtit Shenjt.
Trashëgimtare e premtimeve hyjnore e bijë në shpirt e Abrahamit, përmes Izraelit, të cilit ia ruan me dashuri Shkrimet e Shenjta dhe ia nderon Patriarkët e Profetët; themeluar nga Apostujt e, nga shekulli në shekull, përçuese e fjalës së tyre gjithnjë të gjallë e të pushtetit të tyre baritor në Pasardhësin e Shën Pjetrit e në ipeshkvijtë e bashkuar me të; e ndihmuar vazhdimisht nga Shpirti Shenjt, Kisha ka për mision të ruajë, të mësojë, të shpjegojë e të përhapë të vërtetën, që Zoti na e ka treguar në një mënyrë ende të mjegullt përmes Profetëve e, plotësisht, përmes Jezusit Zot. NE BESOJMË gjithçka përmbahet në Fjalën e Zotit, të shkruar apo të trashëguar, që Kisha propozon të besohet si e zbuluar nga Hyji, si me vendim solemn, ashtu edhe me magjisterin e zakonshëm e universal (shih Dz.-Sch. 3011). NE BESOJMË në pagabueshmërinë, që gëzon Pasardhësi i Shën Pjetrit kur flet “ex cathedra” si Bari e Dijetar për të gjithë besimtarët (shih Dz.-Sch. 3074), pagabueshmëri, me të cilën pajiset gjithashtu edhe Kolegji i ipeshkvijve, kur ushtron me të magjisterin suprem (shih “Lumen gentium”, 25)”.








All the contents on this site are copyrighted ©.