Veprimtaria e Kishës, që drita e Hyjit të hyjë në botë
Romë: Sot, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, u mbajt konferenca me
gazetarët për paraqitjen e Asamblesë vjetore të Këshillit Papnor të Kulturës, me temë
“Kultura rinore emergjente”. Romë: Lëvizja Kishtare ‘Ndihmë për Kishën që
vuan” organizoi sot një takim, për të përkujtuar dhjetëvjetorin e vdekjes së themeluesit,
atë Verenfried van Straaten (17. 01. 1913 – 31. 01. 2003). Në këtë takim, mbajtur
pranë Pallatit të Shën Kalistit, bashkëpunëtorja më e afërt e atë Verenfriedit, Antonia
Villemsen, kujtoi jetën dhe veprimtarinë e murgut premonstratens, që dha një ndihmë
të pakursyer në të katër anët e botës, një herë për shërimin e plagëve të Luftës II
Botërore, më pas, të plagëve, që vijonte të hapte komunizmi në gjysmën e botës. Prej
këndej, edhe emri i lëvizjes “Ndihmë për Kishën që vuan”. Dora bamirëse e atë Verenfriedit
arriti edhe në Shqipëri, me ndihma të natyrave të ndryshme, sidomos me letërsi kishtare
të përkthyer në shqip, me mbështetje materiale për meshtarët e persekutuar, të sapo
kthyer nga burgjet, në Kishat gjysmë ose krejtësisht të rrënuara edhe me bursa studimi,
për meshtarët e rinj e murgeshat. Veprimtari të tilla, të paharrueshme, u kujtuan
në takimin e paradites, dhjetë vjet pas vdekjes së rregulltarit të madh. Pasdite,
pastaj, në kishën e Shën Marisë në Traspontinë, për shpirtin e Atë Verenfriedit, u
kremtua një Meshë, e kryesuar nga kryetari i sektorit italian të ‘Ndihmë për Kishën
që vuan’, imzot Sante Babolin, në bashkëkremtim me shumë meshtarë, përfaqësues të
vendeve ku Kisha vijon të vuajë, të persekutohet, e edhe të ndihmohet nga Lëvizja
e themeluar nga atë van Straaten, vepra të cilit vijon të shtegtojë nëpër botë.
Indi:
Në Bangalore të Indisë sot u hap Konferenca katërditore ndërkombëtare, e titulluar
“Të rivizitojmë Koncilin II të Vatikanit; 50 vjet përtëritje”. Organizator është Universiteti
Papnor “Dharmaran Vidia Kshetram” i filozofisë, teologjisë dhe drejtësisë kanonike,
në bashkëpunim me Komitetin Papnor të shkencave historike dhe me fakultetet teologjike
të disa universiteteve evropiane, si Universiteti katolik i Luvenit, në Belgjikë;
i Tübingen në Gjermani si dhe institucione universitare të Italisë, Francës e vendeve
të tjera evropiane. Më se 330, pjesëmarrësit, që po analizojnë ndikimin e Koncilit
mbi Kishën universale, duke i kushtuar vëmendje të posaçme Kishave në Azi. Të
larmishme, veprimtaritë, nga sesionet plenare, tek tryezat e rrumbullaka, në të cilat,
për katër ditë me radhë, do të marrin pjesë studiues të njohur nga vende të ndryshme
të botës të cilët, duke u nisur nga rrethanat historike, kulturore, filozofike, teologjike
e baritore, kur mblodh Koncili II i Vatikanit, do të thellohen në njohjen e përmbajtjes
së dokumenteve konciliare, duke vënë theksin mbi aktualitetin e tyre për risimin e
Kishës e të rolit të saj në shoqëritë e sotme. Punimet i hapi sot kardinali Zenon
Groholevski, Prefekt i Kongregatës për Edukimin Katolik.
Belgjikë:
Përfundoi sot shtegtimi i relikeve të Shën Gjon Boskos në Ispetoria, në veri të vendit.
Vizita e Pajtorit të të rinjve në Belgjikë, nisi më 15 janar, për t’u mbyllur, në
ditën festës së tij liturgjike. U shoqërua me shumë veprimtari, kishtare e kulturore,
në një vend ku ndjehet fort prania e salezianëve.
Torino: E pikërisht
për festën liturgjike të Shën Gjon Boskos (Kastelnuovo d’Asti, 16 gusht 1815– Torino,
31 janar 1888), sot, në Torino, vendi ku Shenjti themeloi Kongregatën e Salezianëve
dhe të Bijave të Zojës ndihmëtare (salezianet) e prej nga u nis për në Shtëpinë e
Atit qiellor, u mbajtën kremtimet kryesore në përkujtim të Pajtorit të të rinjve. Në
orën 11.30 nisi kremtimi solemn eukaristik, kryesuar nga kryeipeshkvi i Torinos, Cesare
Nosilia. Pasdite, Mesha për anëtarët e Lëvizjeve rinore saleziane, me pjesëmarrje
masive të salezianëve. Ishin përplot mjediset, që bijtë e dom Gjon Boskos ia kushtojnë
rinisë. Francë: Sot, në Francë, u organizuan manifestime të reja masive
kundër ligjit të martesave për të gjithë, në mbrojtje të martesës ndërmjet një burri
me një grua. Bashkojnë edhe një herë, nën të njëjtin flamur, njerëz me besojma nga
më të ndryshmet, në vijim të ‘Manifestimit për të gjithë”, që u mbajt pak ditë më
parë. Duke shmangur çdo lloj homofobie, apo frike e kundërshtimi të paarsyeshëm kundër
homoseksualitetit e personave gei, lesbikë, biseksualë e transeksualë, turma del përsëri
në shesh për të kërkuar që martesat ndërmjet njerëzve të të njëjtit seks, të quajtura
“martesa për të gjithë”, të mos vihen nën mbrojtjen e ligjit. Një manifestim i tillë
tregon qartë se një pjesë e mirë e popullsisë: katolikë, protestantë, hebrenj e disa
kategori të tjera, nuk e ka ndër mend të dorëzohet në këtë pikë.