2013-01-31 14:46:28

Liban: në Udhën e Kryqit të Papës, të rinjtë do të shprehin dhimbjet e Lindjes së Mesme


“E ndjejmë veten në zemër të Kishës. Vuajtjet e trojeve tona e të popujve të Lindjes së Mesme do të jenë në qendër të meditimeve. Ndjehemi të lumtur për vëmendjen, që i kushton Papa Libanit dhe gjithë kësaj zone të martirizuar. Ftesa e Papës për të hartuar tekstet e Udhës së Kryqit të së Premtes së Madhe në Koloseum, na bën krenarë e mirënjohës e na përforcon në impenjimin për ta dëshmuar dashurinë e Krishtit”.
Me këto fjalë, atë Toufik Bu Hadiri, koordinator i zyrës patriarkale për të rinjtë maronitë, komenton, në agjencinë Sir, lajmin se do t’i shkruajnë pikërisht të rinjtë libanezë tekstet e Udhës së Kryqit, që do të kremtohet në Koloseum, kryesuar nga Benedikti XVI, të Premten e Madhe, në prag të Pashkëve 2013. “Kemi nisur përgatitjen, ashtu siç bëmë edhe për takimin e 15 shtatorit 2012 me Papën në Bkerké, me lutje e studimin e Shkrimeve të Shenjta, vijon meshtari. E shikojmë pikërisht si fryt të këtij takimi, kërkesën për të hartuar Udhën e Kryqit, nën drejtimin e Patrikut tonë, kardinalit Behara Butros Rai. E tashmë mund të themi se e kemi nisur punën. E ndjejmë thellë përgjegjësinë e kësaj detyre, por na japin zemër fjalët e Papës. Benedikti XVI na ftoi t’ia hapim pa frikë zemrat Krishtit, sepse në Zotin çdo njeri mund të gjejë forcë e guxim për të ecur në udhët e jetës, duke kapërcyer vështirësitë e vuajtjet”. Në meditimin për dhimbjet e trojeve tona e të popujve, që i banojnë, përfundon atë Bu Hadir, nuk mund të mos kujtojmë edhe vendin, ku do të kremtohet Udha e Kryqit, atë Koloseum, që pa mijëra martirë duke dhënë pa frikë jetën për Krishtin, që i pa të krishterët të përbuzur, të poshtëruar, të persekutuar, siç i shikojmë edhe sot në shumë vende të botës, por edhe ngadhënjyes, sepse Udha e Kryqit nuk përfundon me vdekje, por me ngjallje, me jetë, me jetën e pasosur. E kjo është edhe gurra, ku shuan etjen martirët, ku thithën e thithin forcën e guximin për t’u bërë ballë të gjitha llojeve të persekutimit e të poshtërimit, në shekuj të shekujve. Udha e Kryqit nuk fillon e as nuk mbaron në Koloseum: përshkon shtigjet e pafundme të jetës njerëzore, deri në mbarim të kohëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.