2013-01-30 15:13:21

Përshëndetja e Papës shtegtarëve italianë: të punohet për një kulturë të fortë fetare


Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Papa përshëndeti shtegtarët italianë, ndërmjet të cilëve, edhe ipeshkvijtë, miq të Lëvizjes së Fokolarëve. Duke iu drejtuar besimtarëve të ardhur nga Potenca, kryesuar nga ipeshkvi i tyre, imzot Agostino Superbo, Ati i Shenjtë nënvizoi se nuk duhet kursyer asnjë përpjekje që besimtari, si i qytetit, ashtu edhe i fshatit, të pajiset me një kulturë të fortë fetare. Vetëm kështu të gjithë do të kenë përgatitjen e duhur për t’i marrë me fryt Sakramentet, ushqim i domosdoshëm për rritjen në fe. Por, ta dëgjojmë vetë Papën:
“U drejtoj përshëndetjen time të përzemërt shtegtarëve të gjuhës italiane. Posaçërisht, përshëndes Ipeshkvijtë, miq të Lëvizjes së Fokolarëve. Të dashur Sivëllezër, së bashku me ju, përshëndes edhe të gjithë ata, që do të marrin pjesë në takimet e organizuara në disa vende të botës. Duke ju siguruar për lutjen time, uroj që karizma e unitetit, aq e dashur për ju, t’ju ndihmojë e t’ju frymëzojë në misionin tuaj apostolik.
Përshëndes besimtarët e Potenca-Muro Lukano-Marsikonovo, të shoqëruar nga bariu i tyre, Imzot Agostino Superbo. Të dashur miq, përpiquni me të gjitha forcat që besimtari, si i qytetit, ashtu edhe i fshatit, të pajiset me një kulturë të shëndoshë fetare. Vetëm kështu të gjithë do të kenë përgatitjen e duhur për t’i marrë me fryt Sakramentet, ushqim i domosdoshëm për rritjen në fe.
Prania në këtë takim e autoriteteve të Bazilikatës, të cilëve u drejtoj një përshëndetje të posaçme, më krijon rastin t’u shpreh mirënjohjen time të gjithë atyre, që punuan me pasion për realizimin e Shpellës aq të bukur të Betlehemit, vendosur në këtë Shesh, admiruar nga një mori shtegtarësh, si shprehje e artit lukan.
U drejtohem, në përfundim, të sëmurëve e të sapomartuarve. Kremtohet nesër festa liturgjike e Shën Gjon Boskos, prift e edukator. Merrni shembull nga ai, të dashur të rinj, sepse ishte mësues i vërtetë jete.
Ju, të dashur të sëmurë, mësoni nga përvoja e tij shpirtërore për ta lëshuar vetveten, në çdo rrethanë, në dorë të Krishtit të kryqëzuar.
E ju, të dashur të sapomartuar, kërkoni ndërmjetësimin e tij, për ta jetuar me impenjim bujar misionin si bashkëshortë e si prindër.










All the contents on this site are copyrighted ©.