2013-01-30 15:14:53

Patriku i Libanit paralajmëron vendet, që armatosin regjimin dhe opozitën siriane


Krerët e shteteve “që luftojnë në Siri, duke i dhënë para, armë e mjete, si regjimit, ashtu edhe opozitës, me nxitjen e tyre dashakeqe, bëhen përgjegjës para gjyqit të ndërgjegjes e të historisë për krimet e vrasjes, të shkatërrimit e të largimit me forcë të njerëzve të pafajshëm”. Ky denoncim i fuqishëm bëhet nga Patriku i Antiokisë së Maronitëve, kardinali Bekara Butros Raji. Me rastin e Ditës së Solidaritetit të Kishës maronite për refugjatët sirianë, të strehuar në Liban, Patriku e drejtoi gishtin kundër bashkësisë ndërkombëtare. Duke cituar Enciklikën e Papës Gjoni XXIII, “Pacem in Terris”, kardinali uli në bankën e të akuzuarve edhe OKB-në, për shkak të “përgjegjësisë së organizatës në ruajtjen e konsolidimin e paqes ndërmjet popujve, pas Luftës II Botërore”, detyrë, që Kombet e Bashkuara nuk e kryejnë si duhet.
Kreu i Kishës në Liban vuri në dukje pasojat, që konflikti sirian mund të ketë në skenarin politik e shoqëror libanez, duke filluar nga përçarja ndërmjet partive, të cilat përkrahin kush regjimin e, kush opozitën, pa menduar për reformat vendore. Patriku u kërkoi refugjatëve sirianë të respektojnë ligjet e Libanit, ndërsa autoriteteve të Bejrutit, të kontrollojnë kufijtë e të mos lejojnë të hyjnë armë.








All the contents on this site are copyrighted ©.