2013-01-30 15:55:21

I dorëzohen Benediktit XVI, aktet e Simpoziumit për abuzimet e të miturve nga ana e disa anëtarëve të klerit


Gjatë takimit me të pranishmit në audiencën e përgjithshme, Papa përshëndeti edhe jezuitin, atë Hans Xollner, drejtor i Qendrës për mbrojtjen e të miturve dhe i Institutit të Psikologjisë në Universitetin Papnor Gregorian. Meshtari i dorëzoi Benediktit XVI vëllimin në gjermanisht të akteve të Simpoziumit Ndërkombëtar, që u mbajt një vit më parë, pikërisht në Gregoriana, për çështjet e abuzimeve të disa anëtarëve të klerit kundër të miturve. Titulli i përmbledhjes: “Drejt shërimit e risimit”. I pranishëm edhe drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi.
Gjithnjë në universitetin e administruar nga jezuitët, do të mbahet, më 5 shkurt, një takim i ri për paraqitjen e akteve të Simpoziumit si edhe të veprimtarive të Qendrës për mbrojtjen e të miturve. Kisha Katolike po zbaton një program mësimdhënieje në internet, për t’i njohur anëtarët e vet me realitetin e abuzimeve, me ndihmën për viktimat si edhe me masat e parashikuara në Kodin e së Drejtës Kanonike.







All the contents on this site are copyrighted ©.