2013-01-29 14:29:20

Papa: shoqëria nuk mund t’i braktisë të sëmurët, si të ishin të padobishëm


“Nuk jeni as të braktisur, as të padobishëm: ju jeni të thirrur nga Krishti, ju jeni imazhi i tejdukshëm i Tij”. Kështu shkruan Papa Benedikti XVI në Mesazhin për Ditën e të sëmurit, që do të kremtohet më 11 shkurt e që u paraqit sot në Vatikan. Në veçanti, Dita XXI Botërore do të kremtohet në Altëting të Bavierës, në festën e Zojës së Lurdës. Këtë vit, ajo do të ketë për temë: “Shko, e bëj edhe ti kështu”. Është porosia e Jezu Krishtit, treguar në Ungjillin e Shën Lukës, në shembëlltyrën e Samaritanit të Mirë, e cila përcakton edhe qëndrimin e shoqërisë ndaj më të brishtëve, ndaj atyre, që kanë më shumë nevojë për kujdes. Në Mesazh, Ati i Shenjtë jep shembullin e disa shenjtorëve, që e shkrinë jetën në shërbim të të sëmurëve e të nevojtarëve. Përmend veçanërisht të Lumen shqiptare, Nënë Tereza, e cila, shkruan Papa, “e fillonte gjithnjë ditën, duke takuar Jezusin në Eukaristi, për të dalë pastaj, me Rruzare në dorë, në rrugë, ku takonte dhe i shërbente Zotit të pranishëm në të vuajturit, sidomos në ata, që ‘nuk u afrohet kush, nuk duhen, nuk kurohen’”.
Këtë aspekt, që sjell në ditët tona shembulli i shenjtorëve dhe tema e Ditës për të Sëmurët, e theksoi edhe kryetari i Këshillit Papnor për Veprimtarët e Shëndetësisë, imzot Zigmunt Zimovski, që do të kryesojë ceremoninë në Gjermani, si i Dërguar i veçantë i Benediktit XVI:
“’Shko, e bëj edhe ti kështu’. Një ‘mandat’ i skalitur në zemra, sepse me këto fjalë, Zoti na tregon edhe sot, cili duhet të jetë qëndrimi e sjellja e çdo dishepulli të vet ndaj të tjerëve, sidomos, nëse kanë nevojë për kurim”.
“E ndjej veten veçanërisht pranë secilit prej jush – shkruan më tej Papa në Mesazh – që, në vendet ku kuroheni, ose edhe në shtëpi, jetoni një çast të vështirë sprove, për shkak të sëmundjes e të vuajtjes”. Forca për t’u shërbyer të sëmurëve, vazhdon Ati i Shenjtë, të gjithë atyre, që vuajnë në korp e në shpirt, që kërkojnë ndihmë, sepse s’kanë asgjë, duhet gjetur në dashurinë e pafund të Zotit, përmes marrëdhënieve të thella me Të, në lutje. Ashtu siç bën Jezusi, i cili “përkulet mbi humnerën e vuajtjes njerëzore, për të derdhur në të vajin e ngushëllimit e verën e shpresës”. Viti i Fesë, thekson Benedikti XVI, është rast i përshtatshëm për të qenë samaritanë të mirë për të tjerët. E ja si e komentoi këtë pjesë imzot Zimovski:
“Kjo aftësi për të dashur nuk mund të vijë vetëm nga forcat tona, por nga marrëdhëniet tona të vazhdueshme e të jetuara me Krishtin, përmes fesë e lutjes”.
Dita Botërore e të Sëmurit do të pasurohet me një Konferencë shkencore ndërkombëtare, me titull “Bëji mirë atij, që vuan”. Do të zhvillohet më 7 e 8 shkurt në Universitetin katolik të Eihshtet-Ingloshtadt, gjithnjë në Gjermani. Me këtë rast, Këshilli Papnor për Veprimtarët e Shëndetësisë ka përgatitur një doracak në gjuhë të ndryshme, me lutje e reflektime mbi temat e vuajtjes e të shëndetit, në dispozicion të Kishave lokale. Kujtojmë këtu, edhe ndjesën e plotë, që u jepet nga data 7 deri më 11 shkurt, të gjithë atyre, që ndihmojnë të sëmurët, ose atyre, që e pranojnë sëmundjen si dhuratë dashurie hyjnore.








All the contents on this site are copyrighted ©.