2013-01-29 14:55:01

Në Egjipt, ndeshje e viktima: më tepër pushtet për ushtrinë


Nuk jep rezultat shtetrrethimi në Egjipt. Mijëra vetë sfiduan vendimin e presidentit Morsi, duke dalë në rrugë në Suez, në Port Said dhe në Ismailija. Dyqanet mbetën hapur deri në orën 21.00 e ndokush luajti madje futboll nëpër sheshe. Por nuk mungoi edhe dhuna. Dje, në ndeshjet me forcat e rendit, humbën jetën dy persona. Ndërkaq, opozita nuk mori mundimin as t’i përgjigjej ftesës së presidentit për t’u ulur në tryezën e bisedimeve. Gjatë manifestimeve u kërkua fundi i masave antidemokratike të presidentit, përfaqësues i Partisë “Vëllezërit Myslimanë”, dhe dorëheqja e Ministrit të Brendshëm.
Morsi u detyrua të thërrasë sërish forcat ushtarake, të cilat i kishte mënjanuar nga pushteti pas zgjedhjes në postin e kryetarit të shtetit. Tani, ushtarët mund të arrestojnë civilë e kanë edhe kompetenca të tjera, që nuk i kishin më parë. Fronti i Shpëtimit Kombëtar – opozita – kërkon të formohet një qeveri bashkimi kombëtar dhe të rishikohet kushtetuta e sapomiratuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.