2013-01-29 12:37:11

Indi: Në Mumbai ndizen 37 milionë dritëza kundër aborteve seleksionuese e dhunës mbi gratë.


Nisi dje fushata “37 milion drita”, organizuar nga dioqeza e Mumbait për të sensibilizuar bashkësinë, duke e ftuar t’u kundërvihet të gjitha formave të dhunës kundër grave: aborte përzgjedhëse, feticide femërore, vrasje për shkak të pajës, krime për çëshje nderi, dhunë seksuale, martesa me vajza të mitura, prostitucion me përdhunë, tregti seksi, sulme me acid, vdekje të nënave e foshnjave në lindje.
Të shtunën e kaluar India kremtoi Festën e 63-të të Republikës e në kujtesën e popullsisë mbetet ende i freskët debati mbi rolin e gruas, rinisur pas përdhunimit të grupit në Nju Delhi. Nisma e kryedioqezës ka për qëllim ripohimin e qëndrimit mbajtur nga Kisha që në krye të kësaj ngjarjeje. Titulli i nismës të kujton 37 milionë gra, më pak se burrat, që mungojnë, sepse u mbytën në mënyra nga më të ndryshmet, duke nisur që nga barku i nënës.Kisha nuk kërkon t’i përgjigjet dhunës me dhunë. Përkundrazi, kërkon ndryshim të mendësisë, që mund të arrihet përmes edukimit shpirtëror e seksual, duke respektuar dinjitetin dhe shenjtërinë e çdo njeriu. Në mesazhin për festën e Republikës indiane, edhe Konferenca ipeshkvnore katolike e preku temën e dhunës kundër grave. Kujtoi, posaçërisht, se kjo dhunë i dobëson seriozisht bazat e shoqërisë e të kombit, duke penguar ecjen drejt paqes e begatisë. Plaga mund të zhduket vetëm përmes edukimit të gjithanshëm të njeriut, për të cilin duhet të japin ndihmesën e tyre prindërit, mësuesit, pleqtë, liderët e jetës shpirtërore e autoritetet e jetës civile. Dënimi me vdekje ose kastrimi kimik nuk mund ta zgjidhin problemin. Dëshira për hakmarrje duhet t’i lëshojë vendin faljes, me vetëdijen se jeta njerëzore është dhuratë e çmuar e Zotit, që askush nuk ka të drejtë ta prekë.







All the contents on this site are copyrighted ©.