2013-01-28 13:32:02

Sot në Poloni, funerali i kardinalit Glemp. Kujtimi i imzot Miliores


U kremtua sot paradite, në orën 11.00, në katedralen e Varshavës, funerali solemn i kardinalit Jozef Glemp, kryeipeshkëv nderi i kryeqytetit polak, që ndërroi jetë të mërkurën mbrëma, në moshën 83 vjeçare. Gjatë ditëve të kaluara, me mijëra besimtarë bënë homazhe në Bazilikën e Shën Kryqit, ku ishte vendosur trupi i kardinalit. Të dëgjojmë nuncin apostolik në Poloni, imzot Çelestino Miliore, i cili u takua me prelatin polak vetëm pak ditë para vdekjes:
Të dielën e kaluar i shkova për vizitë e, kur pashë që e kishte akoma Rruzaren në tryezë, i kërkova të lutej edhe për mua. Ai më tha: “Po lutem shumë. Nuk mund të bëj më tjetër, por lutem që Zoti të punojë për të mirën e Kishës e të shoqërisë në Poloni”. E pastaj shtoi: “Nuk e kam ndjerë veten kurrë kaq të dobishëm për popullin tim”. Para së gjithash, ishte njeri shumë i komunikueshëm, i aftë për marrëdhënie njerëzore të thella me të gjithë, por veçanërisht, me sivëllezërit ipeshkvij dhe me meshtarët. Kishte një ndjenjë të hollë humori, inteligjencë të gjallë, intuitive, durim e zell baritor për të gjitha shtresat e shoqërisë polake. Gjatë komunizmit të gjeneralit Jaruzelski, qe ndërmjetësues i jashtëzakonshëm. Diti të bashkojë besnikërinë ndaj krishterimit me atë ndaj shoqërisë, ndaj njeriut, parë në tërësi.








All the contents on this site are copyrighted ©.