2013-01-28 17:17:46

Sinodi i Kishës së kaldejve. Kardinali Sandri sjell bekimin e Papës


Filloi sot në Romë, Sinodi i Kishës patriarkale të kaldejeve të Babilonisë, thirrur nga Benedikti XVI për të zgjedhur Patrikun e ri, që duhet të zërë vendin e Emanuelit III Deli. Sinodin e kryeson kardinali Leonardo Sandri, prefekt i Kongregatës për Kishat Lindore. Sot paradite imzot Enriko Dal Kovolo, rektor i madh i Universitetit Papnor Lateranens, u propozoi prelatëve zgjedhës një meditim, kushtuar bashkësive të para të Jeruzalemit, ikonë e Kishës dhe e çdo bashkësie të krishterë. Kardinali Leonardo Sandri, në mikrofonin tonë, thekson, së pari, cilat janë urimet e Papës për këtë Sinod:

Përgjigje: Janë, që të realizojë, në bashkim e në mision, jetën e re të Kishës së kaldejve, me zgjedhjen e patrikut të ri. Ati i Shenjtë i dërgoi bekimin e tij dhe e ndjek nga afër, sidomos, këtë Sinod, që lidhet me ardhmërinë e Kishës katolike të kaldejve. Në këtë Sinod është i pranishëm një mozaik i vogël njerëzor e kishtar, që të kujton vuajtjet në Lindjen e Mesme: janë ipeshkvijtë e Irakut, dhe e dijmë mirë sa kanë vuajtur e sa vijojnë të vuajnë; dy ipeshkvij të Iranit, ipeshkvij të diasporës, në SHBA, Kanada e Australi, një nga Libani e, së fundi, ai i Sirisë, vuajtjen e së cilës e prekim me dorë për ditë, përmes mjeteve të komunikimit. Pra mund të themi se kjo Kishë e vuajtur është bashkuar, nën dritën e Shpirtit Shenjt, për të zgjedhur kreun e ri, që do t’i prijë në kolegjialitet e sinodalitet për vitet e ardhshme. E Papa uron që në Vitin e Fesë, të jetë pikërisht një çast rritjeje, që të sjellë fryte të begata, pas gjithë kësaj vuajtjeje.

Pyetje: - Cilat janë sfidat kryesore, që duhet të përballojë Kisha e kaldejve?

Përgjigje: - Sfidat kryesore janë ato të Kishës në përgjithësi: feja e, në rastin e Kishës së kaldejve, rëndësi të veçantë merr dialogu ekumenik e dialogu ndërfetar. Është edhe mungesa e fesë, sepse të krishterët janë pak. Shumë nga tanët u detyruan të ikin, të mërgojnë, të shkojnë në vise të tjera, për të kërkuar atë paqe e atë siguri, që u mungon në atdheun e tyre. Në këtë situatë dhune e vuajtjeje, feja është ligështuar. E në këtë Vit të fesë, Papa na bën thirrje pikërisht për ta gjallëruar e për ta jetuar në gjithë thellësinë e saj, në mënyrë që të jetë jo vetëm fe intelektuale, fe fjalësh, po fe jete, që përçohet me shembull e me dëshmi.

Pyetje: - Ju kohët e fundit ishit në Irak. Ç’përshtypje sollët me vete?

Përgjigje: - Përshtypjet se pavarësisht nga ajo, që marrim vesh prej lajmeve për situatën e dhunës e të terrorizmit, këtu Kisha është plot gjallëri. Kisha në Irak është gjithnjë e dukshme, si përmes Kishës së kaldejve, ashtu edhe Kishës siro-katolike e Kishës latine. Vëllezërit tanë në këto troje vijojnë ta jetojnë Ungjillin, ta lënë gjithë jetën në duart e Atit, përmes Jezu Krishtit, në bashkim me Shpirtin Shenjt. E këtë e pashë në liturgjitë hyjnore, ku mora pjesë. Më ngjallën vërtet shpresën për një ardhmëri më të mirë. E pastaj pata përshtypjen se i përkasin me gjithë shpirt Kishës universale, Kishës katolike; se e ndjejnë fort përqafimin atëror të Papës, afërsinë e tij e të ne të gjithëve, që me lutje e dashuri i ndjekim gjithnjë me admirim e dashuri vëllazërore.

Pyetje: - Në viset arabe po fryn erë islamiste. A mund të flitet edhe sot për dialog me myslimanët?

Përgjigje: - Ndërkaq mund të kujtojmë dialogun, për të cilin bën thirrje Koncili II i Vatikanit; pasi flet për vëllezërit tanë hebrenj, flet edhe, e në radhë të parë, për myslimanët e për të tjerët, që u përkasin feve të ndryshme. Me myslimanët ne kemi të përbashkët besimin në një Zot të vetëm. Por edhe një impenjim tjetër të përbashkët, që mund të lidhet me të ashtuquajturën pranverë arabe, impenjim për t’i kushtuar vëmendje të dorës së parë dinjitetit të njeriut, dinjitetit, që gjen shprehjen e vet në lirinë e tij, posaçërisht në lirinë fetare, në mbrojtjen e të drejtave themelore të burrave e të grave.

Pyetje: - Ju mendoni se ardhmëria e të krishterëve duhet parë me frikë, apo pa frikë?

Përgjigje: - Të krishterët, duke jetuar në një vend me shumicë islamike, mund të kenë edhe druajtje, por jo për shkak të Islamit, sepse Islami është fe që i do harmoninë e paqen. Frika vjen nga deformimi i Islamit, nga dhuna ose nga përpjekja për të imponuar me forcë fenë e shumicës, gjë që nuk ka të bëjë fare me Islamin e vërtetë. Me Islamin e vërtetë mund të dialogojmë e madje, edhe të merremi vesh.








All the contents on this site are copyrighted ©.