2013-01-28 15:00:20

Dita për paqe në Tokën e Shenjtë. Imzot Tual: solidariteti është themelor.


U kremtua dje, Dita e pestë ndërkombëtare e ndërmjetësimit për paqe në Tokën e Shenjtë, nën kujdesin e Këshillit Papnor për Drejtësi e Paqe. Në këtë ngjarje morën pjesë 3 mijë qytete të botës, shpirtërisht pranë bashkësive të Viseve të Shenjta, për t’i mbështetur e për t’iu përgjigjur, në mënyra të ndryshme, nevojave të tyre. Për rëndësinë e kësaj Dite, intervistuam patrikun latin të Jeruzalemit, imzot Fuad Tual:

Përgjigje: - Jemi mirënjohës për këtë shprehje të solidaritetit, për këtë Ditë lutjeje kushtuar Tokës së Shenjtë, që është Tokë e Shenjtë për të gjithë, e kjo më kënaq, nga që e ndjej se të gjithë janë të vetëdijshëm dhe e kuptojnë se këto troje u përkasin. E janë të vetëdijshëm edhe se situata jonë këtu nuk është aspak e lehtë. Prandaj edhe luten për ne. Është gjë e bukur të shikosh se solidariteti për Tokën e Shenjtë nuk shprehet vetëm me aksione materiale e financiare, por edhe shpirtërore. Ne kemi shumë nevojë për këtë përmasë shpirtërore. Reagimi ynë ndaj këtij manifestimi solidariteti, është të përpiqemi sa të mundemi për të qenë në lartësinë, që kërkon ky besim, kjo miqësi me Tokën e Shenjtë e edhe ta kryejmë sa më mirë misionin tonë këtu. Ne jemi urë dialogu e dashurie të krishterë në situatat tona. Përsëri, ashtu siç ishim edhe gjatë Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve, jemi të bashkuar me të gjithë miqtë e Tokës së Shenjtë, më të bashkuar se kurrë, edhe në lutje.








All the contents on this site are copyrighted ©.